AfD kërkon anulimin e njohjes së Kosovës dhe kundërshton zgjerimin e BE-së në Ballkan
2
Partia e djathtë gjermane AfD ka mbajtur prej vitesh një qëndrim të hapur kundër pavarësisë së Kosovës, duke kërkuar anulimin e njohjes së saj nga Gjermania dhe ndryshimin e politikës së Berlinit ndaj Prishtinës.
Qëndrimi më i drejtpërdrejtë u shpreh në janar të vitit 2023, kur Petr Bystron, atëherë zëdhënës i AfD-së për politikën e jashtme, e cilësoi njohjen e Kosovës nga Gjermania si një “gabim”.
AfD e konsideron ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 dhe shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia si të paligjshme. Partia ka kërkuar që Gjermania t’i kërkojë falje Serbisë për bombardimet dhe të anulojë njohjen e Kosovës.
Në një dokument parlamentar të qershorit 2023, të nënshkruar nga Alice Weidel dhe Tino Chrupalla, AfD e cilëson Kosovën si “shtet të rremë”. Në dokument kërkohen gjithashtu kompetenca ekzekutive për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe një administrim i veçantë për kishat dhe manastiret serbe në Kosovë.
Nisma e AfD-së u rrëzua në Bundestag në shtator të vitit 2024.
Qëndrimi i partisë është ashpërsuar edhe ndaj pranisë gjermane në Kosovë. Në maj të vitit 2023, deputeti Markus Frohnmaier deklaroi se “projekti Kosovë ka dështuar”, duke kërkuar tërheqjen e Gjermanisë nga KFOR-i dhe ndërprerjen e ndihmës për Kosovën.
AfD kundërshton gjithashtu zgjerimin e Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor. Në vend të anëtarësimit të plotë, partia ka propozuar një model marrëdhëniesh të ngjashëm me atë që BE-ja ka me Zvicrën ose Norvegjinë.