Sasia e zhdoganuar e karburantit është rritur ndjeshëm nga viti në vit. Ngarkesa fiskale për një litër naftë të shitur, është e konsiderueshme ku pjesën më të madhe të saj e përbën akciza, e cila është në vlerën 40 lekë për litër.
Por sa fiton buxheti i shtetit nga akciza mbi naftën? Referuar të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, gjatë vitit 2025 janë importuar dhe kanë shkuar për konsum 740,863 ton karburante. Nëse do të bënim një llogari, nëse 740.863,000 litra të importuara do ti shumëzonim me 40 lekë akcizë për çdo litër, vlera që ka arkëtuar shteti gjatë 2025 arrin në rreth 29.6 miliardë lekë apo 296 milionë euro.
Akciza e naftës në Shqipëri ka qenë e fiksuar në 37 lekë për litër përpara se të miratohej ligji për indeksimin e saj me inflacionin. Në tre vjet, ajo është rritur me 3 lekë. Një rritje e inflacionit në Shqipëri do të sillte dhe një rritje të akcizës mbi naftën.
Nëse do të bënim një krahasim ndër vite, fitimet nga ky zë janë rritur ndjeshëm për shkak të rritjes së sasisë së karburantit që është importuar.
Në vitin 2023 janë importuar 614.5 mijë ton karburante, në vitin 2024 sasia është rritur në 657.5 mijë tonë , për të arritur në 740.8 mijë ton gjatë viti që lamë pas. Kjo rritje ka ardhur kryesisht për shkak të fluksit të turizmit gjatë tre viteve të fundit në Shqipëri.
Përpos akcizës, mbi naftën, aplikohet edhe taksa e qarkullimit e cila është në nivelin 27 lekë/litër, si dhe TVSH-ja dhe taksa e karbonit 3 lekë për litër.
Çmimi i naftës ka ndikim të ndjeshëm në çmimet e produkteve ushqimore dhe jo ushqimore, pasi është një ndër kostot kryesore për kompanitë që operojnë në sektorë të ndryshëm, si prodhim, bujqësi, eksport, turizëm.
Rritja e çmimit të naftës pritet të pasohet me rritjen e çmimeve në zinxhirin e furnizimit në tërësi. Ekspertët kanë sugjeruar që ulja e akcizës mbi naftën apo heqja e saj do të ndihmonte ndjeshëm ekonominë shqiptare duke e bërë atë më konkurruese si dhe do të ulte kostot për qytetarët shqiptarë.