Çertifikohen dy qen policorë në kampin policor në Vrellë

March 13, 2026


Sot, në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë, u mbajt ceremonia e certifikimit të dy qenve policorë, një nga Policia e Kosovës dhe një nga Policia e Shqipërisë, të siguruar si donacion nga Ambasada e Francës.

Sic ka njoftuar Policia, procesi i trajnimit (SAMBI – trajnim për qen shumë qëllimesh) ka zgjatur 16 javë, ndërsa certifikimi përfundimtar është realizuar në periudhën 09–12 mars 2026, nën mbikëqyrjen e instruktorëve nga Qendra e Trajnimit në Gramat, Francë, me përkrahjen e OSBE-së.

“Në këtë ceremoni, morën pjesë zyrtarë të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë nga OSBE, përfaqësues të Ambasadës së Francës dhe instruktorë nga Franca, zyrtarë të OSBE-së nga Shqipëria, përfaqësues të Departamentit të Burimeve Njerëzore dhe Departamentit të Shërbimeve Mbështetëse të Policisë së Kosovës, si dhe eprorë dhe staf i Njësisë Policore me Qenë Policor (K9)”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

Gjatë ceremonies, siç thuhet, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës, Ambasadës së Francës dhe OSBE-së, për ngritjen e kapaciteteve profesionale të Njësisë K9, përmes mbështetjes në infrastrukturë, trajnimit dhe donacioneve të qenve policorë.

“ Ky bashkëpunim kontribuon në forcimin e kapaciteteve për luftimin e krimit, veçanërisht në zbulimin e drogës, kartëmonedhave të falsifikuara, armëve, municionit dhe materialeve polimerike, si dhe në avancimin e bashkëpunimit rajonal në luftimin e krimit ndërkufitar”.

“Ceremonia u përmbyll me falënderime nga Policia e Kosovës dhe me zotimin për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, në funksion të zhvillimit të mëtejmë të kapaciteteve të Njësisë K9”.






Source link