Arbana Osmani do të vazhdojë në Ferma VIP, por pritet të bëjë një ndryshim të madh
Arbana Osmani pritet të rikthehet sërish në drejtimin e “Ferma VIP”, duke vijuar angazhimin e saj në format edhe në sezonin e ardhshëm.
Megjithatë, edicioni i ri pritet të sjellë një ndryshim të rëndësishëm, që këtë herë nuk lidhet me moderimin, por me periudhën kur programi do të nisë transmetimin.
Tre sezonet e para të “Ferma VIP” kanë nisur gjatë periudhës së pranverës, rreth muajit mars. Për sezonin e ardhshëm, planet pritet të jenë ndryshe, pasi programi mund të rikthehet disa muaj më herët.
Sipas informacioneve që qarkullojnë, “Ferma VIP” pritet të nisë rreth muajit nëntor, duke e zhvendosur kështu formatin nga programacioni pranveror në sezonin televiziv vjeshtë-dimër.
Arbana Osmani, nga ana tjetër, pritet të mbetet në krye të spektaklit. Kjo do t’i jepte fund edhe pikëpyetjeve të ngritura pas finales së sezonit të tretë, kur një postim i saj u interpretua nga një pjesë e publikut si një sinjal për një largim të mundshëm.
Në atë postim, moderatorja e cilësonte eksperiencën në “Ferma VIP” si “një kujtim shumë të bukur”, formulim që solli aludime për të ardhmen e saj në format.
Nëse planet për nisjen në nëntor konkretizohen, sezoni i ri do të shënojë ndryshimin më të madh në kalendarin e “Ferma VIP” që prej nisjes së programit. Data e saktë e premierës, megjithatë, mbetet ende për t’u konfirmuar.