Bekim Jashari emocionon me urimin për martesën e vajzës së tij, Ferides – Ora Info

August 26, 2026


Bekim Jashari ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas martesës së vajzës së tij, Ferides, me Orgesin.

Jashari e ka cilësuar këtë si një ditë të paharrueshme për familjen e tij, duke rrëfyer emocionet dhe historinë familjare që lidhet me lindjen dhe rritjen e Ferides pas luftës.

Ai ka treguar se Feridja, e cila lindi në qershor të vitit 2000, u pagëzua me emrin e nënës së tij dhe sot është arkitekte.

Duke kujtuar sakrificat e familjes Jashari, Bekim Jashari ka thënë se ardhja e Ferides në jetë shënoi fillimin e një kapitulli të ri dhe rikthimin e gëzimit në familje.

Në fund të postimit, ai dhe familja Jashari i kanë uruar Ferides dhe Orgesit jetë të gjatë, shëndet, dashuri dhe lumturi.

“Urime martesa, vajza jonë, shpirti ynë i lindur nga liria dhe rritur me dashurinë e një familjeje që dëshmoi se jeta është më e fortë se vdekja dhe dashuria më e fuqishme se dhimbja”, ka shkruar Jashari.

Postimi i plotë:

Sot është një ditë e paharrueshme për familjen tonë.

Dashuria e vajzës sonë, Ferides dhe e Orgesit, kurorëzohet me martesë.

Për ta kuptuar gëzimin e kësaj dite, duhet të kthehem 28 vjet pas, në një kohë kur jeta dhe vdekja qëndronin përballë njëra-tjetrës, kur ekzistenca përballej me zhdukjen dhe shpresa me dhimbjen. Ishte koha kur në Kosovë kishte nisur mobilizimi i të rinjve, burrave dhe grave për të jetësuar amanetin e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe për të vazhduar rrugën drejt lirisë.

Nga 30 anëtarë të familjes sonë, kishim mbetur vetëm 10. Lufta për ne nuk ishte vetëm luftë për çlirimin e Kosovës, por edhe luftë për mbijetesën e familjes, për ruajtjen e emrave, rritjen e fëmijëve dhe që dashuria për atdheun të mos shuhej kurrë. Ky ishte amaneti që duhej jetësuar.

Gjashtë muaj pas rënies heroike të familjes sonë, më 5 shtator 1998, në shtëpinë tonë erdhi bashkëshortja ime, Shehria. Ishte fillimi i një kapitulli të ri.

Dy vjet më vonë, në qershor 2000, familjes sonë iu kthye gëzimi. Zoti zgjodhi që ripërtëritja të niste me ardhjen në jetë të një vajze. E quajtëm Feride, me emrin e nënës sime, gruas që nuk e la vetëm babushin as në çastet më të vështira.

Feridja u rrit me emrin dhe tiparet më të mira të gjyshes së saj. Sot është arkitekte, por mbi të gjitha është vajza jonë e dashur dhe e pazëvendësueshme.

Feridja, vajza jonë e vetme në mesin e katër fëmijëve tanë, fëmija i parë i familjes pas luftës, është krenari e madhe e familjes dhe e mixhës Rifat, të cilit, si e vogël, nuk i ndahej nga prehri. Me të nisën gëzimet tona, me të nisi një jetë e re në trollin e vjetër të babës Shaban.

Vajza jonë e dashur, unë dhe mami, Mixha Rifat, Besarta, Hamza, Besimi, Blerimi dhe e gjithë familja Jashari, ju urojmë ty dhe Orgesit jetë të gjatë, shëndet, dashuri dhe lumturi.

Urime martesa vajza jonë, shpirti ynë i lindur nga liria dhe rritur me dashurinë e një familjeje që dëshmoi se jeta është më e fortë se vdekja dhe dashuria më e fuqishme se dhimbja.

Të duam shumë, vajza jonë!

Qofshi përherë të lumtur, Feride dhe Orges!





Source link