Nga Vanesa te miqësia me Arbanën dhe Eduartin

August 22, 2026


Pas përfundimit të eksperiencës në “Ferma VIP 3”, Indri Shiroka ka folur hapur për disa prej momenteve më të diskutuara të rrugëtimit të tij në reality show, përfshirë raportin me Vanesën, akuzat se ishte favorizuar për shkak të miqësisë me Arbana Osmanin dhe Eduart Grishajn, si dhe jetën e tij sentimentale pas daljes.

Aktori, i cili jeton në Romë, pranon se vendimi për t’u bërë pjesë e formatit nuk ishte aspak i menjëhershëm. Ai nuk kishte qenë ndjekës i reality show-ve dhe e konsideronte atë një botë të largët nga kinemaja, por bisedat me produksionin e bindën ta provonte si një sfidë personale.

Vetëm pasi doli nga “Ferma VIP”, Indri thotë se kuptoi diferencën e madhe mes asaj që përjetonte një konkurrent brenda dhe mënyrës se si të njëjtat situata perceptoheshin nga publiku.

“Për mua ishte një shok. Kam arritur edhe të mendoj: ‘Çfarë paskam bërë, nuk e paskam kuptuar asgjë aty brenda’”, është shprehur ai.

Çfarë ndodhi realisht me Vanesën?

Një pjesë e rëndësishme e intervistës i është kushtuar raportit me Vanesën, romanca me të cilën u krijua pikërisht gjatë qëndrimit në fermë.

Indri pranon se kishte një pëlqim të vërtetë, por njëkohësisht thekson se izolimi dhe bashkëjetesa intensive ndikuan në mënyrën se si u zhvillua raporti.

“Nëse do të isha jashtë nuk do të kisha bashkëjetuar me Vanesën dhe nuk do të kisha qenë në atë presion”, shprehet ai, duke e cilësuar historinë e tyre si një përzierje mes një afrimi spontan dhe ndikimit që pati formati.

I pyetur nëse Vanesa ishte tipi i tij, përgjigjja e aktorit ishte e drejtpërdrejtë: “Për shumë aspekte ishte tipi im dhe për shumë aspekte nuk ishte absolutisht tipi im”.

Sot, megjithatë, marrëdhënia mes tyre duket se është ndërprerë. Teksa renditi ish-fermerët me të cilët vazhdon të ketë kontakte, Indri përmendi Blerinën, Zhakun, Henrin, Vinin dhe Mozën, ndërsa për Vanesën tha shkurt: “Me Vanesën jo”.

Është gati për një lidhje të re?

Pavarësisht historisë së përfunduar në “Ferma VIP”, Indri nuk e konsideron veten të mbyllur ndaj dashurisë.

“Unë jam i hapur për një lidhje, absolutisht, sepse vetmia ka shumë gjëra tepër të bukura, por pas një periudhe kohe të mërzit”, ka treguar aktori.

Megjithatë, ekziston një kusht i rëndësishëm. Ai jeton në Romë dhe nuk e mendon një marrëdhënie në distancë. Arsyeja kryesore për të mos u larguar nga Italia është djali i tij, për të cilin thotë se ka zgjedhur të jetë një baba i pranishëm.

Sipas Indrit, pikërisht djali i ka mësuar kuptimin e dashurisë pa kushte.

U favorizua nga Arbana Osmani dhe Eduart Grishaj?

Miqësia e tij me Arbana Osmanin dhe Eduart Grishajn ishte një tjetër temë që shkaktoi diskutime gjatë formatit. Indri e mohon kategorikisht se kjo marrëdhënie i ka siguruar trajtim të privilegjuar.

Sipas tij, Arbana nuk e ka kursyer gjatë spektaklit dhe të njëjtën gjë kanë bërë edhe opinionistët. Madje, ai mendon se njohja e mëparshme me ta mund ta ketë penalizuar në perceptimin e publikut, pikërisht për shkak të dyshimeve për favorizim.

Romiri “aktori më i mirë”, Moza dhe Sara kërkonin kamerat

Indri nuk u ka shpëtuar as pyetjeve më pikante për ish-konkurrentët.

Kur iu kërkua të zgjidhte personin që, sipas tij, ishte më shumë “në rol” gjatë 24 orëve, ai përmendi Romir Zallën.

“Romiri ishte super aktor dhe e ka bërë shumë mirë”, tha Shiroka, duke argumentuar se ai mendonte me kujdes përpara se të fliste dhe analizonte dinamikat përpara se të vepronte.

Ndërsa pyetjes se kush kërkonte më shumë vëmendjen e kamerave, Indri iu përgjigj duke përmendur Mozën dhe Sarën.

Thashethemi me Klevisën

Mes historive që e kanë habitur më shumë pas daljes është edhe ajo për një afrim të mundshëm me Klevisën.

Indri e mohon këtë version dhe thotë se është krijuar përshtypja sikur ai kishte ndjerë tërheqje fizike ndaj modeles, diçka që, sipas tij, nuk përputhet me atë që ka ndodhur.

Eksperienca në “Ferma VIP” i solli gjithashtu një ekspozim shumë më të madh publik. Aktori pranon se pas formatit ka marrë edhe më shumë mesazhe nga vajzat.

Vazhdojnë të më shkruajnë dhe nuk arrij ta kuptoj pse. Nuk e di çfarë shohin tek unë, që unë nuk e shoh”, është shprehur Indri.

Megjithëse eksperienca e tij në reality show u shoqërua me debate, romancë dhe interpretime të ndryshme nga publiku, Shiroka e konsideron qëndrimin e tij aty një sfidë personale të përfunduar me sukses, duke i vendosur vetes “notën 10” për mënyrën se si e përballoi izolimin.



Source link