Regjistrohet viktima e katërt nga ethet e Nilit Perëndimor, në Maqedoni
6
Drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana, njoftoi këtë pasdite se ka pasur një tjetër vdekje nga ethet e Nilit Perëndimor. Ai theksoi se pacienti u trajtua në Klinikën e Sëmundjeve Infektive për 27 ditë.
Siç njoftoi drejtori, bëhet fjalë për një pacient 76-vjeçar i cili u soll në klinikë në një gjendje jashtëzakonisht të keqe me formë neuroinvazive të sëmundjes. Virusi i Nilit Perëndimor u konfirmua tek ai, dhe ai kishte edhe sëmundje të tjera.
Ai është vdekja e katërt e regjistruar nga ethet e Nilit Perëndimor në vend, ndërsa 15 janë shëruar dhe janë lëshuar nga Klinika për Sëmundje Infektive.
Virusi deri më tani është konfirmuar tek 36 pacientë, ndërsa rezultatet e reja priten për disa ditë.