Cristiano dhe Georgina zbulojnë arsyen se përse u martuan në dhomën e ndenjes
Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodríguez zgjodhën një ceremoni larg asaj që mund të pritej nga një prej çifteve më të njohura në botë. Dyshja u martua më 11 gusht, në një ceremoni civile private në shtëpinë e tyre verore në Cascais të Portugalisë.
Në vend të një ambienti luksoz të përgatitur posaçërisht për dasmën, Cristiano dhe Georgina vendosën t’i shkëmbenin betimet në dhomën e ndenjes së shtëpisë së tyre.
Ka qenë vetë Georgina që ka treguar arsyen e kësaj zgjedhjeje, duke e lidhur atë me jetën e përditshme të familjes.
“Ne kemi zgjedhur ta bëjmë në dhomën e ndenjes së shtëpisë sonë, këtu ku hamë mëngjesin, drekën dhe darkën. Dhe aty ku jetojmë realitetin e jetës sonë”, është shprehur Georgina Rodríguez.
Ajo ka treguar gjithashtu se dëshironte që pikërisht ky ambient të mbetej një kujtim për fëmijët edhe shumë vite më vonë.
“Pas 30 vitesh dua që fëmijët të mendojnë: ‘Diçka e mrekullueshme ndodhi në këtë tavolinë, betimet e martesës së prindërve tanë!’”
Në ceremoninë private ishin të pranishëm pesë fëmijët e çiftit. Ronaldo dhe Georgina kanë zgjedhur që këtë moment ta kalojnë në një rreth të ngushtë, ndërsa në të ardhmen planifikojnë edhe një festë më të madhe me familjarë dhe miq.
Martesa erdhi më 11 gusht 2026, plot dhjetë vite pas njohjes së tyre të parë në Madrid.
Pas ceremonisë, çifti udhëtoi drejt Shenjtërores së Zojës së Fatimas në Portugali, ku morën një bekim për martesën e tyre.