Instagram ka prezantuar një ndryshim të ri në identitetin e tij vizual, duke ridizenjuar shkrimin e emrit të platformës për herë të parë pas një dekade.
Bëhet fjalë për të ashtuquajturin “wordmark”, pra logon e përbërë nga vetë fjala “Instagram”. Shkrimi karakteristik që përdorej prej rreth 10 vitesh është zëvendësuar me një version të ri, ku ndërthuren elemente të shkrimit të dorës me forma më moderne dhe më të thjeshta.
Ndryshimin e ka prezantuar edhe drejtuesi i Instagramit, Adam Mosseri, i cili ka shpjeguar se pas një dekade kishte ardhur koha për një rifreskim. Sipas tij, synimi është që identiteti i ri të duket më modern dhe më i pastër, duke ruajtur njëkohësisht elemente që lidhen me pamjen origjinale të Instagramit.
Pamja e re ka sjellë menjëherë reagime të ndryshme në rrjet. Disa përdorues e kanë mirëpritur ndryshimin, ndërsa të tjerë kanë kritikuar formën e disa shkronjave dhe lexueshmërinë e emrit.
Megjithatë, ndryshimi nuk prek ikonën e njohur të aplikacionit me gradientin rozë, portokalli dhe vjollcë. Për momentin është ndryshuar vetëm mënyra grafike se si shkruhet emri “Instagram”.