Kontrata 30/70%, përplasjet e sendeve në zyrë dhe gjetja e armës/ Gazetari zbardh të gjithë ngjarjen që çoi Gjestin në pranga!
Arrestimi i reperit të njohur Gjesti (Besart Kelmendi) ka bërë bujë të madhe, por çfarë fshihet vërtet pas atij sherri me armë zjarri?
Gazetari kosovar Arbër Zeka, i ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, ka zbardhur fill e për pe të gjithë dinamikën e ngjarjes, duke zbuluar detaje shokuese të një kontrate që e la reperin të pakënaqur pas famës në “Big Brother VIP Kosova”.
Sipas gazetarit, Gjesti është një “kurban” i nxitimit të tij dhe i një marrëveshjeje të nënshkruar para se të futej në reality show.
Ja si rrodhi e gjithë situata, sipas informacioneve të Zekës:
Para hyrjes në BBVK, Gjesti firmosi një kontratë me Erkand Shabanin (nga kompania Onima) për menaxhimin e platformave zyrtare (YouTube, Spotify, etj.). Fitimet ndaheshin: 30% për Gjestin dhe 70% për Erkandin. Kjo marrëveshje ishte e vlefshme për 5 vite, me mundësi rinovimi edhe për 5 të tjera (5+5).
Pasi doli nga Big-u me një famë të jashtëzakonshme, Gjesti kërkoi me çdo kusht prishjen e kësaj kontrate.
Ai bëri një marrëveshje të re me Bonart Ajazin, i cili pranoi ta menaxhojë me kushtin që të gjitha të drejtat autoriale dhe kanalet të kalonin tek ai.
Erkand Shabani nuk pranoi ta lironte Gjestin, duke pasur parasysh edhe humbjet e mëdha financiare që kishte pësuar më herët nga një prishje e ngjashme kontrate me artistin Ylli Limani.
Gazetari zbuloi se ditën e djeshme, Gjesti kishte shkuar në zyrat e Onima i shoqëruar nga një person tjetër, fillimisht për të gjetur një gjuhë të përbashkët.
“Ka agravuar situata, ka përplasur një tastierë dhe thuhet se është dëmtuar pak një kompjuter. Aty stafi i Onima ka telefonuar policinë,” – tregoi Zeka.
Kur policia mbërriti, i gjeti Gjestit një armë pa leje. Megjithatë, gazetari theksoi: “Nuk besoj që ajo armë është marrë me tendencë për t’i frikësuar, por e mban për sigurinë e vet.”
Në fund, Zeka u shpreh se në rrafshin ligjor, Erkand Shabani është plotësisht në të drejtën e tij, pasi kontratat janë firmosur me vullnet të plotë nga të dyja palët dhe nuk mund të prishen thjesht nga dëshira e nxitimi i njërit krah, sado e madhe të jetë bërë fama e tij.