Nga viti i ardhshëm, në aeroport mund të pini ujë falas
1
Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka njoftuar se, nga viti i ardhshëm, në aeroport mund të pini ujë falas.
“Kjo nismë jo vetëm që rrit standardin e shërbimit, por lehtëson rimbushjen e enëve vetjake, duke ndihmuar drejtpërdrejt në zvogëlimin e mbetjeve plastike” thotë Pacolli.
Vendimi u mor pas një takimi të përbashkët qeveritar me udhëheqës të aeroportit.
“Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe me operatorët ekonomikë është thelbësor për një aeroport më të gjelbër dhe më miqësor ndaj mjedisit” shtoi ajo.
Ky është postimi i plotë i Pacollit:
Sot, së bashku me zëvendësministrin Driton Hyseni, zhvilluam një takim me Gökhan Açıkgöz, drejtor në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, si dhe Levent Kaylak, Drejtor i Përgjithshëm Operacional, me të cilët diskutuam për çështjet mjedisore dhe mundësitë për përmirësimin e parametrave mjedisorë në dhe përreth aeroportit.
Një vëmendje të veçantë në këtë takim i kemi kushtuar zbatimit të direktivave dhe standardeve të Bashkimit Evropian për sigurimin e qasjes në ujë të pijshëm. Në përputhje me këto direktiva, u ra dakord për krijimin e këndeve të dedikuara për të ofruar qasje në ujë të pijes papagesë që rrjedh nga kroi, një shërbim thelbësor që do të jetë i disponueshëm për të gjithë pasagjerët nga viti i ardhshëm.
Kjo nismë jo vetëm që rrit standardin e shërbimit, por lehtëson rimbushjen e enëve vetjake, duke ndihmuar drejtpërdrejt në zvogëlimin e mbetjeve plastike.
Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe me operatorët ekonomikë është thelbësor për një aeroport më të gjelbër dhe më miqësor ndaj mjedisit.