“Nuk po kërkojmë privilegj, po kërkojmë një të drejtë elementare”
1
Mungesa e ujit të pijshëm në Dragash ka nxitur reagime të qytetarëve, të cilët kanë paralajmëruar protestë për nesër, më 11 gusht, para objektit të Komunës së Dragashit.
Protesta pritet të nisë në orën 11:00, ndërsa qytetarët janë ftuar të marrin pjesë për të kërkuar zgjidhje konkrete dhe të menjëhershme për problemin e furnizimit me ujë.
“Nuk po kërkojmë privilegj. Po kërkojmë një të drejtë elementare: Ujin!”, thuhet në thirrjen për protestë.
Në njoftim theksohet se qytetarët e konsiderojnë të papranueshme që të paguajnë taksat dhe faturat, ndërsa të mos kenë ujë në shtëpitë e tyre për nevojat themelore.
Mungesën e ujit e ka konfirmuar edhe menaxheri i KRU “Hidroregjioni Jugor”, Dega në Dragash, Izet Aliu.
Ai ka deklaruar se qyteti po përballet me mungesë të furnizimit dhe se sasia e ujit që aktualisht vjen nga burimi i Radeshës nuk është e mjaftueshme për nevojat e qytetarëve.
Sipas Aliut, situata është përkeqësuar gjatë ditëve të fundit për shkak të zvogëlimit të sasisë së ujit në burim.
Ai ka theksuar gjithashtu se problemi nuk lidhet me kapacitetet e KRU “Hidroregjioni Jugor”, por me sasinë e ujit në dispozicion.
Ndërkohë, qytetarët pritet që përmes protestës së nesërme t’u kërkojnë institucioneve zgjidhje të menjëhershme për krizën e furnizimit me ujë.