U zhduk pa lënë gjurmë prej dy ditësh – familja kërkon ndihmë për gjetjen e 52-vjeçares nga Lipjani
1
Një 52-vjeçare nga fshati Vrellë e Magurës në Lipjan është raportuar e zhdukur, pasi është larguar nga shtëpia dhe prej atëherë nuk dihet asgjë për fatin e saj.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për Fedaije Berisha, rreth 52-vjeçare.
Sipas burimeve, rasti është raportuar në Policinë e Lipjanit nga vëllai i saj, P. M., rreth 44-vjeçar, i cili ka deklaruar se motra e tij është larguar nga shtëpia më 30 korrik, rreth orës 09:45, në drejtim të Fushë Kosovës, por nuk është kthyer më dhe familja ka humbur çdo kontakt me të.
Familjarët kanë bërë të ditur se Fedaije Berisha kohëve të fundit vuante nga depresioni, çka ka shtuar shqetësimin për sigurinë e saj.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, ndërsa Policia ka hapur shënim zyrtar dhe ka nisur veprimet për lokalizimin e saj.
Sinjali fton të gjithë qytetarët që, nëse kanë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e Fedaije Berishës, ta njoftojnë menjëherë Policinë e Kosovës në numrin 192 ose stacionin më të afërt policor.