Evropa rrezikon të dështojë në luftën kundër hepatitit deri në vitin 2030, alarmon ECDC
5
Evropa rrezikon të mos arrijë objektivin për eliminimin e hepatitit viral si kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030, pavarësisht përparimit të shënuar në vitet e fundit. Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) paralajmëron se mangësitë në vaksinimin e fëmijëve dhe masat e pamjaftueshme parandaluese po pengojnë arritjen e këtij synimi.
Sipas ECDC-së, rastet e hepatitit akut B kanë rënë vazhdimisht që nga viti 2006 falë vaksinimit dhe masave parandaluese.
Megjithatë, rreth pesë milionë njerëz në Evropë jetojnë ende me infeksione kronike të hepatitit B ose C, shpesh pa qenë të vetëdijshëm për këtë. Çdo vit, afro 60 mijë persona humbin jetën nga sëmundjet e mëlçisë të lidhura me këto infeksione, shkruan burimi Euronews transmeton Gazeta Shneta.
“Nuk duhet të humbasë jetën askush nga një sëmundje që mund të parandalohet, diagnostikohet dhe trajtohet”, tha Bruno Ciancio, udhëheqës i Njësisë për Sëmundjet e Parandalueshme përmes Vaksnimit në ECDC.
Hepatiti B dhe C transmetohen përmes gjakut ose lëngjeve trupore të infektuara dhe janë ndër shkaqet kryesore të sëmundjeve kronike të mëlçisë.
Tek personat nën moshën 25-vjeçare, përqindja e rasteve të hepatitit akut B ka rënë nga 11 për qind në vitin 2015 në 8 për qind në vitin 2024, çka pasqyron ndikimin pozitiv të programeve të vaksinimit të fëmijëve.
Gjithashtu, të 30 vendet e Bashkimit Evropian dhe Zonës Ekonomike Evropiane kanë vendosur depistimin rutinë të hepatitit B gjatë shtatzënisë, duke ulur transmetimin e virusit nga nëna tek fëmija në më pak se 2 për qind.
Megjithatë, ECDC thekson se ekzistojnë boshllëqe të rëndësishme. Vetëm një numër i vogël vendesh kanë arritur objektivin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për vaksinimin e plotë të 95 për qind të fëmijëve kundër hepatitit B, ndërsa disa shtete kanë raportuar edhe rënie të mbulimit me vaksina.
Po ashtu, masat për uljen e dëmeve, si trajtimi i varësisë nga opioidet dhe shpërndarja e gjilpërave e shiringave sterile, mbeten të pamjaftueshme. Vetëm shtatë vende përmbushin objektivin e OBSH-së për furnizimin me pajisje sterile për personat që injektojnë drogë.
Sipas ekspertëve, transmetimi seksual vazhdon të jetë një nga rrugët kryesore të përhapjes së hepatitit B, ndërsa shumica e rasteve të hepatitit C lidhen me përdorimin e drogës me injeksion dhe marrëdhëniet seksuale mes burrave.
ECDC vëren se programet specifike parandaluese për transmetimin seksual të hepatitit ende nuk monitorohen në mënyrë të njëtrajtshme në të gjitha vendet evropiane.