Rasti i policit në Prizren, mbesa e tij del me deklaratë publike
18
Tragjedia që tronditi opinionin publik me ndarjen nga jeta të pjesëtarit të NJRSH-së në Prizren, Shaban Hajdari, ka ngritur pikëpyetje të shumta dhe ka nxitur një valë të madhe thashethemesh e aludimesh në rrjetet sociale. Teksa grupi hetimor po punon për zbardhjen e të gjitha rrethanave të ngjarjes së rëndë në Morinë të Kukësit, reagimet online duket se e kanë rënduar edhe më shumë situatën për familjarët e të ndjerit.
Së fundmi, përmes një deklarate publike, ka reaguar mbesa e Shabanit, e cila ka thyer heshtjen për t’u bërë thirrje të gjithëve që të ndalin spekulimet dhe të tregojnë konsideratë njerëzore në këto ditë të vështira zie.
“Në këto momente jashtëzakonisht të vështira për familjen, ju lutem të gjithëve të tregoni kujdes dhe përgjegjësi në komentet dhe aludimet që po qarkullojnë. Dhimbja që po përjeton familja është e madhe dhe çdo fjalë e pavërtetë apo spekulim vetëm sa e rëndon edhe më shumë këtë situatë.”
Në mesazhin e saj, ajo u drejtohet posaçërisht atyre që e kanë njohur zyrtarin e policisë nga afër, duke i ftuar të mos bëhen pjesë e gjykimeve të pabazuara. Fokus të veçantë i ka kushtuar mbrojtjes së bashkëshortes së të ndjerit, Gylgjanit, ndaj së cilës janë drejtuar shumë nga komentet dashakeqe në internet.
“Për familjen tonë, Gylgjani nuk ka qenë kurrë thjesht nusja e shtëpisë. Ajo ka qenë dhe mbetet motër, shoqe, bijë e kësaj familjeje dhe një shembull i mirësisë, i respektit dhe i përkushtimit. Për vite me radhë ajo dhe Shabani ndërtuan një jetë të bukur së bashku, një familje që shumë njerëz e shihnin me admirim.”
Ajo ka nëvizuar se në këto çaste tragjike, e veja e të ndjerit ka nevojë për lutje, mbështetje dhe qetësi, e jo për gjykime apo fjalë që lëndojnë.
“Në këto çaste, ajo ka nevojë për mbështetje, lutje dhe respekt, jo për fjalë që lëndojnë. Ju lutem, mos e shtoni dhimbjen e kësaj familjeje me komente të pamenduara. Le ta lëmë të vërtetën t’u takojë institucioneve dhe atyre që janë përgjegjës për zbardhjen e çdo rrethane.”
Me këtë reagim emocional, familja kërkon nga publiku që respekti për kujtimin e Shabanit dhe për familjen e tij të vihet mbi çdo aludim apo kërkim për sensacion, duke i lënë organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre.