Po flinte pranë vajzës së saj të mitur, 20-vjeçarja vritet nga një plumb që hyri përmes dritares

July 22, 2026


Një nënë 20-vjeçare ka humbur jetën pasi u qëllua përmes dritares së dhomës së gjumit, teksa ishte duke fjetur pranë vajzës së saj të vogël në banesën e familjes në Los Angeles.

Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën, më 19 korrik, rreth orës 03:35 të mëngjesit, në bllokun 400 të rrugës West 103rd Street, në zonën Vermont Vista. Sipas mediave amerikane, viktima është identifikuar si Maria Barrios Ventura, transmeton Klankosova.tv.

Policia e Los Angelesit (LAPD) mbërriti në vendngjarje pas raportimeve për të shtëna me armë dhe gjeti Venturën me plagë të shkaktuara nga plumbat. Sipas burimeve policore të cituara nga mediat lokale, ajo ishte qëlluar në kokë.

Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të emergjencës, 20-vjeçarja u shpall e vdekur në vendngjarje.

I dashuri i saj, Omar Misael, tha për mediat se Ventura ishte nënë e një vajze 1-vjeçare dhe se në momentin e të shtënave familja po flinte së bashku në të njëjtin shtrat.

“Një plumb qorr kaloi përmes dritares dhe goditi partneren time. Pas kësaj u qëlluan edhe rreth shtatë plumba të tjerë, të cilët goditën zona të ndryshme pranë banesës. Ajo vdiq rreth 10 minuta më vonë”, tha Misael.

Policia po heton nëse sulmi ishte i qëllimshëm apo bëhet fjalë për një plumb të rastësishëm. Një banor tjetër i zonës, Jose Chavez, deklaroi se të shtënat kishin dëmtuar edhe pronën e tij.

Autoritetet amerikane vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar autorët e të shtënave.




Source link