Irani akuzon ShBA-në për sulme ndaj infrastrukturës civile

July 17, 2026


Irani ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se kanë goditur infrastrukturë civile gjatë valës së fundit të sulmeve ajrore, pas dështimit të bisedimeve për paqe.

Mediat shtetërore iraniane dhe autoritetet lokale kanë deklaruar se sulmet kanë prekur ura, një stacion hekurudhor dhe një aeroport. BBC Verify ka konfirmuar një sulm ndaj një ure në provincën Hormozgan.

Komanda Qendrore e ShBA-së (CENTCOM) nuk ka publikuar listën e objektivave të goditura, por ka thënë se sulmet kishin për qëllim “dobësimin e mëtejshëm të kapaciteteve ushtarake të Iranit”.

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do të goditen ura dhe centrale elektrike në Iran, me qëllim që Teherani të rikthehet në bisedime për përfundimin e luftës, e cila nisi më 28 shkurt me sulme amerikane dhe izraelite, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Pas këtyre sulmeve, Irani është kundërpërgjigjur ndaj Izraelit, si dhe objektivave amerikane dhe aleatëve të ShBA-së në Gjirin Persik.

Për gjashtë net me radhë, SHBA-ja ka zhvilluar sulme ajrore ndaj objektivave në Iran.

Sipas mediave shtetërore iraniane dhe zyrtarëve lokalë, gjatë sulmeve të së enjtes mbrëma janë goditur Aeroporti Iranshahr në juglindje të Iranit, një stacion hekurudhor dhe gjashtë ura në provincën Hormozgan.

Autoritetet e kësaj province kanë bërë të ditur se shtatë persona kanë humbur jetën.

BBC Verify dhe BBC Persian kanë verifikuar pamjet e dëmeve në Urën Gariveh, pasi videot e regjistruara gjatë natës kanë shfaqur një shpërthim dhe flakë mbi urë.




Source link