Korenica flet për mosftesën nga përzgjedhësi Foda


Meriton Korenica aktualisht po kalon formë të mirë te Cluji

Cluji rumun ka 12 ndeshje rresht në Superligën e në Kupën e Rumanisë pa pësuar disfatë. Ka shtatë fitore e pesë barazime. Bashkë me formën e mirë të Clujit, paraqitje që janë vlerësuar pozitive ka pasur edhe Meriton Korenica. Korenica në edicionin aktual me Clujin ka zhvilluar 37 ndeshje në të gjitha garat, ndërsa ka kontribuuar me nëntë gola e katër asistime. Por, paraqitjet 28-vjeçarit nuk kanë qenë të mjaftueshme që përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, ta përfshijë atë në listën për ndeshjet e muajit mars ndaj Islandës.

“Forma po vazhdon të jetë e mirë. Natyrisht se e kam pritur ftesën dhe do ta pres gjithmonë, por këto janë zgjedhje të trajnerit dhe atyre që vendosin për listën dhe këtë duhet ta pranoj”, ka deklaruar Korenica.

Korenica po ashtu ka treguar se nuk është kontaktuar fare nga Foda.

“Nuk kam pasur bisedime me Fodan”, ka deklaruar Korenica që luan në krah, por mund të kryejë edhe detyra të tjera në mesfushë.

Kosova më 20 mars e pret Islandën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa tri ditë më vonë luan në udhëtim. Ndeshja kthyese zhvillohet në Murcia të Spanjës, pasi stadiumi kryesor në Reykjavik është në rinovim. Këto ballafaqime janë të rëndësishme për inkuadrim në Ligën B të Ligës së Kombeve.

“Unë do ta vazhdojë ta rris edhe më shumë formën time dhe të punojë edhe më shumë. Kosovës i dëshiroj shumë suksese në këto dy ndeshje, me fitore dhe kualifikim”, është shprehur Korenica.

Korenica ka pesë paraqitje me “Dardanët” ndërsa ka kontribuuar me një asistim, atë në barazimin 2:2 në kryeqytet ndaj Zvicrës. Ajo ndeshje i takoi Grupit I kualifikues për “Euro 2024”.

Korenica ka luajtur edhe për grupmoshën U21 të Kosovës.

Korenica karrierën e ka nisur te Rahoveci, ndërsa ka luajtur edhe te Shkëndija e Tetovës, Metalurgu i Shkupit, Liria, Prishtina, Ballkani e Manisa në Turqi.

Skuadra e tij, Cluji rumun, është duke luftuar për titull kampioni në edicionin aktual të Superligës së Rumanisë.

Pas 30 ndeshjeve të luajtura, Cluji është i dyti me 54 pikë, dy më pak se FCSB-ja.



Source link

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *