Ai i hodhi vetes benzinë dhe pastaj i vuri flakën vetes
2
Mbrëmë shpërtheu një zjarr në një autobus postar në Kerzers, kantoni i Fribourgut, ku si pasojë gjashtë persona humbën jetën.
Dëshmitarët okularë raportojnë se një person i vuri flakën vetes, ndërsa video dhe fotografi tregojnë automjetin duke u djegur me intensitet të madh.
Sipas policisë, në këtë tragjedi kanë humbur jetën të paktën gjashtë persona, ndërsa pesë të tjerë janë plagosur, raporton 20min.ch, transmeton albinfo.ch.
Në një konferencë për shtyp të martën në mbrëmje, policia konfirmoi se zjarri në autobusin postar ishte vendosur qëllimisht. Megjithatë, rrethanat e sakta mbeten nën hetim. Autoritetet nuk komentuan nëse bëhet fjalë për një sulm terrorist.
Një video e siguruar nga redaksia tregon skena pak pasi shpërtheu zjarri. Një person shihet duke vrapuar dhe duke bërtitur, ndërsa duket se ka djegie në duar. Në sfond dëgjohen britma dhimbjeje.
Media 20 Minuten ka vendosur të mos publikojë videon e plotë dhe në vend të saj ka shfaqur vetëm disa pamje (screenshots).
Në video, burri i plagosur dëgjohet duke thënë në shqip:
“Një burrë i vuri flakën vetes. Ai hodhi benzinë mbi vete dhe pastaj e ndezi.”
Më pas burri ulet në tokë, dhe një kalimtar i afrohet për të pyetur nëse ka nevojë për ujë, gjë që ai konfirmon.
Deri tani, të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën, ndërsa disa nga të plagosurit janë transportuar me helikopter drejt spitalit. Sipas policisë, zjarri u vu shpejt nën kontroll.
Ka indikacione se një person i vetëm mund ta ketë shkaktuar zjarrin, por mënyra se si ndodhi saktësisht mbetet e paqartë. Hetimet për shkakun e zjarrit janë duke vazhduar dhe pritet të zgjasin gjatë gjithë natës. Policia ka hapur një linjë telefonike për informacione: 0800 261 700.