FSK i bashkohet kërkimeve për 78-vjeçarin e zhdukur që nga java e kaluar

July 6, 2026


Kërkimet për gjetjen e 78-vjeçarit Xhafer Raqi, i zhdukur që nga e enjtja e kaluar, po vazhdojnë edhe sot me angazhimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Nga Shoqata e Kërkim-Shpëtimit kanë bërë të ditur për Klankosova.tv se aksioni i sotëm po zhvillohet në bashkëpunim me FSK-në, ndërsa kërkimet janë përqendruar në zonën e Butovcit, ku një ditë më parë u gjet një sandale që dyshohet se i përket 78-vjeçarit.

Përveç FSK-së, në operacion janë të angazhuar edhe Policia e Kosovës, Shoqata e Kërkim-Shpëtimit, ekipe këmbësore, si dhe dronë për kontrollimin e terrenit.

Xhafer Raqi, banor i lagjes “Bregu i Diellit” në Prishtinë, vuan nga demenca dhe është parë për herë të fundit rreth orës 08:00 të mëngjesit të së enjtes.

Familjarët kanë apeluar që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e tij të kontaktojë në numrin +383 44 737 900.




Source link