Rritet bilanci i tërmeteve në Venezuelë, afro 1 mijë e 500 të vdekur

June 29, 2026


Ekipet e shpëtimit kanë vazhduar edhe të dielën kërkimet për të mbijetuarit e tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën këtë javë, ndërsa shenja jete kanë sjellë herë pas here shpresë në mes të operacioneve të vështira ku ende rezultojnë dhjetëra mijëra persona të zhdukur.

Bilanci i viktimave nga dy tërmetet e së mërkurës është afruar në rreth 1,500 persona, ndërsa ekipet ndërkombëtare të shpëtimit kanë mbërritur në shtetin La Guaira, zona më e goditur nga katastrofa në këtë vend që po përballet prej kohësh me krizë të thellë politike dhe ekonomike.

Dhjetëra ndërtesa janë shembur duke u kthyer në rrënoja përgjatë bregdetit, rreth 40 kilometra në veri të Karakasit, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.

“Operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë. Sot kemi nxjerrë persona të gjallë dhe për këtë arsye operacionet nuk po ndërpriten. Ne gjithmonë mbajmë shpresë,” ka deklaruar presidentja në detyrë Delcy Rodríguez, pas njoftimit për krijimin e një komisioni presidencial që do të vlerësojë qëndrueshmërinë dhe banueshmërinë e ndërtesave.

E shoqëruar nga disa ministra të saj, Rodríguez ka bërë të ditur se mësimi do të pezullohet edhe për një javë tjetër, ndërsa furnizimi me energji elektrike në La Guaira është rikthyer në rreth 75 për qind.

Qeveria, e drejtuar nga Rodríguez pas rrëzimit të paraardhësit të saj në një ndërhyrje të mbështetur nga SHBA në janar, fillimisht kishte falënderuar vullnetarët civilë për ndihmën e ofruar në zonat e goditura, por më pas ka kufizuar qasjen në rrugët kryesore, duke thënë se trafiku po pengon lëvizjen efikase të mjeteve emergjente.




Source link