Kam humbur frikën, jo dinjitetin
1
Igballe Berisha Huduti ka reaguar publikisht pas vendimit të autoriteteve shqiptare për ta shpallur “non-grata”, duke deklaruar se nuk ka asgjë për të humbur dhe se nuk i frikësohet atyre që i quan “zullumqarë”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Huduti tha se ka humbur prej kohësh frikën ndaj padrejtësive dhe se jeta e saj është udhëhequr nga bindjet për liri, drejtësi dhe dinjitet njerëzor.
Reagimi i saj vjen pasi Ministria e Brendshme e Shqipërisë vendosi t’i ndalojë hyrjen në territorin shqiptar për 15 vjet, me arsyetimin se aktiviteti i saj mund të cenojë interesat e sigurisë kombëtare, rendin publik dhe stabilitetin e vendit.
Lexoni të plotë postimin e saj:
Një përgjigje jo për Ministrin Llamallari, por për një vëlla të shqetësuar që më dërgoji këtë lajm në what’s app.
Paqe për ty Vëlla.
Po e di, vëlla i nderuar, e lexova këtë shkrim. S’kam çfarë të humb, sepse moti i kam humbur ato gjëra që zullumqarët mendojnë se unë kam vuajtur për to.
Krejt çka kam humbur është frika ndaj zullumqarëve, asgjë tjetër, sepse edhe shpirtin, edhe jetën, edhe zemrën time moti ia kam falur Dikujt që m’i ka falur.
Kam “humbur” nga kjo botë e “bukur” çdo të mirë, që nga dita kur e ngrita zërin kundër padrejtësisë në emër të lirisë humane dhe njerëzillëkut. U shkurorëzova nga kjo botë që nga dita kur e lexova poemën “Qerbelaja” të Naim Frashërit.
Jeta ime nuk do të kishte vlerë në këtë vend të shqiptarisë nëse unë nuk e kryej misionin tim, që ngjason me misionin e shehidëve të Qerbelasë.
Mjaft më me poshtërimet që më janë bërë nga zullumqarët e vendit tim, qoftë nga pushtetarët apo fetarët.
Më e mirë për mua është një vdekje me vlera dinjitoze sesa një jetë me poshtërime.
Të kam në dua, vëlla, edhe ju më keni në dua në këtë ditë të Ashuras. Kam nevojë për lutjet e secilit që dëgjon për padrejtësitë që më bëhen në këtë jetë.