Po merren me gazin amerikan e nuk po arrijnë ta mbajnë as Gazin e Pejës

June 23, 2026


Përplasjet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas kërkesave për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga degët e Pejës, Lipjanit dhe së fundmi nga Dega II në Prishtinë, kanë nxitur reagime edhe nga zyrtarë të Vetëvendosjes.

Deputeti i zgjedhur i LVV-së, Taulant Kelmendi, ka deklaruar se debatet mes Lumir Abdixhikut dhe Gazmend Muhaxherit janë çështje të brendshme të LDK-së, por ka kritikuar qeverisjen lokale në Pejë.

“Peja meriton një qeverisje që u shërben qytetarëve dhe jo klaneve të interesit, abuzimit, përfitimit dhe ndërtimeve pa vizion. Qytetarët e Pejës kanë nevojë për zhvillim, transparencë dhe përgjegjësi, jo për beteja të klaneve”, ka shkruar ai.

Ndërkohë, edhe deputeti tjetër i LVV-së, Ilir Kërçeli, ka ironizuar situatën në LDK me një koment ndaj Gazmend Muhaxherit.

“LDK-ja merret me Gazin Amerikan, ndërkohë që nuk po arrin ta mbajë as Gazin e Pejës”, ka shkruar Kërçeli.

Edhe kandidati për deputet, Gazmir Raci, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit, duke komentuar përplasjen mes Abdixhikut dhe Muhaxherit.

“Edhe Lumiri, përfundimisht, po e pranon sonte se Muhaxheri është një dështak. Peja meriton qeverisje tjetër”, ka shkruar Raci.

Reagimet vijnë në kohën kur brenda LDK-së po shtohen zërat që kërkojnë përgjegjësi për rezultatet zgjedhore, ndërsa debati mes lidershipit qendror dhe disa degëve lokale është bërë publik dhe gjithnjë e më i ashpër. /Telegrafi/




Source link