Turqia arreston mbi 200 persona para samitit të NATO-s

June 23, 2026


Forcat turke kanë arrestuar më shumë se 200 persona të dyshuar për lidhje me organizatën e vetëshpallur terroriste ISIS dhe grupe të tjera që Ankaraja i konsideron organizata terroriste, njoftuan të martën prokurorët turq.

Operacioni vjen në prag të Samitit të NATO-s, i cili do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara, ku pritet të marrin pjesë liderët e 32 vendeve anëtare të aleancës, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump dhe presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, raporton DW, transmeton Klankosova.tv.

Sipas Prokurorisë së Ankarasë, janë lëshuar 241 urdhër-arreste, ndërsa deri më tani janë ndaluar 209 persona. Operacionet policore për kapjen e të dyshuarve të tjerë po vazhdojnë.

Autoritetet bëjnë të ditur se 56 nga të arrestuarit dyshohen se janë anëtarë të ISIS-it, ndërsa 35 të tjerë lidhen me organizatën komuniste Fronti/Partia Revolucionare për Çlirimin e Popullit (DHKP-C), e cila konsiderohet organizatë terroriste nga Turqia dhe ka marrë përgjegjësinë për disa sulme në të kaluarën.

Mediat turke raportojnë gjithashtu për një operacion të veçantë të koordinuar nga prokurorët në Stamboll kundër DHKP-C-së, ku janë arrestuar 24 persona në tetë provinca të ndryshme të vendit.

Turqia ka intensifikuar masat e sigurisë para samitit të NATO-s. Autoritetet kanë paralajmëruar ndalimin e të gjitha protestave dhe tubimeve publike duke filluar nga 28 qershori deri në përfundim të samitit.

Po ashtu, transmeton klankosova.tv, do të kufizohet qarkullimi në rrugët që çojnë drejt aeroporteve, ndërsa zonat përreth vendit ku do të mbahet samiti dhe hotelet ku do të qëndrojnë delegacionet ndërkombëtare do të jenë nën masa të rrepta sigurie.

Vetëm muajin e kaluar, autoritetet turke zhvilluan një tjetër operacion në shkallë kombëtare kundër personave të dyshuar për lidhje me ISIS-in, duke arrestuar 324 persona në mbarë vendin.

Qeveria e presidentit Erdogan vazhdon të zhvillojë operacione të shpeshta kundër grupeve që i konsideron kërcënim për sigurinë kombëtare, ndërsa përgatitjet për Samitin e NATO-s po hyjnë në fazën përfundimtare.




Source link