Zbulohet vajza bjonde në burgun e Peqinit, takoi 2 të dënuar
1
Pak ditë më parë publikuam një video që ka vënë në qendër të hetimeve një rast të dyshuar të hyrjeve të parregullta në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.
Në pamjet e bëra publike shihej një vajzë bjonde, e identifikuar me inicialet A.M., e cila dyshohet se ka hyrë në ambientet e brendshme të burgut në muajin prill 2025, në një periudhë të ngarkuar politike për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Rasti është referuar në Prokurorinë e Elbasanit dhe po hetohet pasi janë sekuestruar regjistrat e hyrje-daljeve, pamjet e kamerave të sigurisë dhe dokumentacioni shoqërues i vizitave.
Sipas burimeve nga sistemi i burgjeve dhe grupi hetimor, po verifikohet edhe personi që ka realizuar dhe shpërndarë videon brenda ambienteve të institucionit, një punonjëse në rol edukatore sociale, ndaj së cilës kanë nisur procedurat disiplinore. Hetuesit po analizojnë gjithashtu lëvizjet e A.M. brenda ambienteve të sigurisë së lartë, ku ajo shihet e shoqëruar nga një punonjëse policie, ndërsa dyshohet se ka pasur akses në zona të kufizuara të institucionit.
Në kuadër të hetimeve, po verifikohen edhe pretendimet për takime të mundshme të saj me të dënuarit me inicialet L.D. dhe R.Rr., të cilët ndodhen në regjim të posaçëm sigurie në burgun e Peqinit. Çështja është bërë pjesë e një hetimi më të gjerë që përfshin disa institucione penitenciare në vend, ku dyshohet për rreth 17 raste të hyrjeve të parregullta ose të dokumentuara në mënyrë të dyshimtë, përfshirë periudhën parazgjedhore dhe paszgjedhore të 11 majit 2025.
Sipas gazetarit Elton Qyno, një pjesë e këtyre hyrjeve dyshohet se janë realizuar përmes dokumentacionit të deklaruar si bashkëjetesë, autorizimeve si përfaqësuese ligjore apo roleve të pretenduara profesionale si psikologe ose sociologe. Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë konkrete të zyrtarëve të administratës së burgjeve dhe për të sqaruar mënyrën se si janë lejuar këto hyrje në ambiente të sigurisë së lartë.
Skandali i burgut të Peqinit: Pamjet e një eskortë që tronditin opinionin publik