Avioni me 267 pasagjerë përplaset me radarin në Turqi

June 12, 2026


Një avion i kompanisë Turkish Airlines me 267 pasagjerë në bord u përplas me një strukturë metalike radari në aeroportin e Antalias në Turqi, duke pësuar dëmtime në krah dhe në një pjesë të trupit të mjetit fluturues.

Sipas raportimeve, pas përplasjes u aktivizuan maskat e oksigjenit në kabinë, ndërsa u hapën edhe ndarëset e bagazheve mbi sedilje. Për arsye sigurie, të gjithë pasagjerët u evakuuan menjëherë nga avioni.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë dëmtime të konsiderueshme në njërin krah të avionit, si dhe rrëzimin në pistë të strukturës së madhe metalike ku ndodhej sistemi i radarit.

Një pasagjere deklaroi se pas uljes së avionit dëgjoi një zhurmë të fortë dhe vuri re se një pjesë ishte shkëputur nga mjeti fluturues. Ndërsa një tjetër udhëtar e përshkroi momentin e përplasjes si “të frikshëm”.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit për të garantuar sigurinë e pasagjerëve dhe për të kontrolluar situatën.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se krahu i avionit preku antenën metalike, e cila më pas u rrëzua mbi trupin e avionit. Një person raportohet se ka mbetur i lënduar.

 






Source link