Dy persona janë arrestuar dje nga Policia e Shkodrës në lagjen Kiras ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, pasi nuk iu bindën urdhrit të patrullës për të ndaluar.
Në pranga ka rënë Ervis Baba, shofer i automjetit dhe një i mitur, ndërsa në kërkim është shpallur Barush alias Bajram Bregu, krahu i djathtë i Ibrahim Licit i njohur si “Fantazma”.
Barush Bregu ka qenë gjithashtu pasagjer në automjet, i cili ka qëlluar në ajër dhe më pas ka arritur të largohet.
Policia ‘blindoi’ lagjen Kiras me kontrolle, por nuk është arritur të lokalizohet vendndodhja e tij.
Barush Bregu është gjithashtu shpallur në kërkim 1 ditë pas vrasjes së dyfishtë të ndodhur në Shkodër më 8 shtator 2025 ku mbeti e plagosur edhe kamarierja Meri Kaceri, i dyshuar si personi që i siguroi armën autorit.
Bregu njihet si një nga njerëzit kryesorë të vrasjeve për llogari të grupit Lici.
Dinamika e ngjarjes
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:10, kur shërbimet e Policisë, gjatë patrullimit në lagjen “Guerrile”, i bënë shenjë ndalimi një automjeti me dy persona brenda për kryerjen e kontrolleve.
Drejtuesi i automjetit nuk iu bind urdhrit të policisë, por shtoi shpejtësinë dhe kreu manovra të rrezikshme, duke detyruar efektivët ta ndjekin.
Gjatë ndjekjes, dyshohet se pasagjeri i automjetit, Bajram Bregu, qëlloi një herë në ajër me armë zjarri dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes.
Policia arriti të ndalojë drejtuesin e automjetit, identiteti i të cilit nuk është bërë publik për shkak të hetimeve, ndërsa dhjetëra forca policie rrethuan zonën e Kirasit dhe zhvilluan kontrolle për disa orë me masa të rrepta sigurie.
Megjithatë, pas disa orësh operacion, autoritetet janë tërhequr nga zona pa mundur të kapin personin e dyshuar.
Në momentin kur ka qëlluar efektivët e shërbimit kanë kërkuar forca mbështetëse për shkak se bëhej fjalë për një person i dyshuar me rrezikshmëri të lartë, por derisa kanë mbërritur trupa të tjerë të policisë, ka mjaftuar që Bajram Bregu të largohet në drejtim të paditur.
Dyshimet e policisë janë se Bregu mund të ketë shfrytëzuar komunikimin e brendshëm mes oborreve dhe bahçeve të shtëpive në Kiras, të cilët dyshohet se kanë dyer të brendshme gjë e cila e ka favorizuar atë që të arratiset.
Policia përveç forcave të shumta shtesë, përdori edhe dronin nga ajri për kontrollin e zonës por pa arritur që ta lokalizojë Bajram Bregun. Në banesën ku u mendua se fshihej për momentin, policia nuk e gjeti aty pavarësisht kontrolleve aty.
Njoftimi i policisë:
Shkodër/Zbardhen autorësia dhe rrethanat e rastit të pasdites së djeshme, në lagjen “Guerrile”, ku u kanosën me armë zjarri, punonjës të Policisë, gjatë ndjekjes së një automjeti.
Arrestohen drejtuesi dhe pasagjeri (i mitur) në automjetin me të cilin lëvizte 40-vjeçari që qëlloi me armë zjarri, në ajër, për të kanosur punonjësit e Policisë.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim 40-vjeçari, shtetas me precedent të theksuar për disa veprimtari kriminale.
Gjendet dhe sekuestrohet arma e zjarrit (pistoletë) me municion, e përdorur në këtë rast.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale dhe hetimore, të kryera për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e autorësisë së rastit të datës 09.03.2026, kur rreth orës 15:10, në lagjen “Guerrile”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, dhe Komisariatin e Policise Shkoder zhvilluan operacionin e koduar “Risku”.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasi E. B., 43 vjeç dhe një 17-vjeçar, të dy banues në lagjen “Guerrile”.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi B. B., 40 vjeç, banues në lagjen “Guerrile”, me precedent për armëmbajtje pa leje, prodhim/shitje narkotikësh dhe vjedhje.
Dje, gjatë patrullimit në këtë zonë, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, automjetit që nga hetimet rezultoi se e drejtonte 43-vjeçari dhe kishte pasagjerë të miturin dhe shtetasin e shpallur në kërkim.
43-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por ka vijuar lëvizjen, duke shtuar shpejtësinë dhe kryer manovra të rrezikshme me automjet. Për këto arsye, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje automjetit.
Gjatë ndjekjes, shtetasi B. B. dyshohet se ka zbritur nga automjeti, dhe gjatë largimit, ka qëlluar me armë zjarri (pistoletë), ne ajër me qëllim kanosjen e punonjësve të Policisë.
Arma e zjarrit me municion e dyshuar e përdorur nga shtetasi B. B., u gjet nga shërbimet e Policisë dhe u sekuestrua bashkë me automjetin tip “Volksëagen Seat” me të cilin lëviznin këta shtetas.
Punohet intensivisht për kapjen e shtetasit B. B..
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi apo mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Moskallëzimi i krimit.