Presidenti i KE-së nesër në Kosovë, Policia ndërpret qarkullimin në disa segmente rrugore
1
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të qëndrojë nesër për vizitë në Kosovë, ku do të zhvillojë takim zyrtar me Ushtruesen e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.
Sipas njoftimit të Presidencës, takimi është paraparë të mbahet në orën 11:00.
“Në orën 11:00, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, pret në takim Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë vizitës do të ndërmarrë masa të përkohshme për rregullimin dhe kontrollin e trafikut, me qëllim të sigurimit të mbarëvajtjes së aktiviteteve të parapara.
Sipas policisë, këto masa mund të përfshijnë ndërprerje të shkurtra të qarkullimit në segmente të caktuara rrugore, si dhe riorientim të trafikut në rrugë alternative, varësisht nga vlerësimet e sigurisë dhe nevojat operative.
“Policia e Kosovës do të punojë në koordinim me institucionet përkatëse për të siguruar mbarëvajtjen e vizitës dhe për të minimizuar ndikimin e masave të sigurisë në lëvizjen e qytetarëve. Me këtë rast, Policia e Kosovës kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve dhe të të gjithë pjesëmarrësve në trafik, si dhe respektimin e udhëzimeve të zyrtarëve policorë në terren. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë dhe garantimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët dhe zyrtarët ndërkombëtarë që vizitojnë Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

