Studenti i plagosur rëndë arrestohet derisa iu kërkonte ndihmë policisë
1
Pamje të publikuara nga policia britanike kanë nxitur reagime të forta në Mbretërinë e Bashkuar, pasi tregojnë momentet e fundit të jetës së 18-vjeçarit Henry Nowak, i cili u godit për vdekje me thikë dhe më pas u prangos nga policia, ndërsa vazhdimisht u thoshte oficerëve se ishte plagosur dhe se nuk mund të merrte frymë.
Studenti nga Southamptoni humbi jetën pasi u sulmua me thikë nga 23-vjeçari Vickrum Digwa. Sipas gjykatës, autori e goditi me një thikë me teh 21 centimetra, duke i shkaktuar plagë në këmbë dhe një plagë fatale në zemër.
Megjithatë, rasti ka shkaktuar debat të madh publik jo vetëm për shkak të vrasjes, por edhe për mënyrën se si reaguan oficerët e policisë në vendngjarje.
Në pamjet e kamerave trupore, të publikuara me pëlqimin e familjes së viktimës, dëgjohet Henry Nowak duke thënë disa herë: “Më kanë goditur me thikë” dhe “Nuk po marr frymë”.
Sipas babait të tij, Mark Nowak, djali i tij u tha oficerëve nëntë herë se nuk mund të merrte frymë dhe katër herë se ishte goditur me thikë.
“Henryn e tërhoqën zvarrë mbi zhavorr, ia detyruan duart pas shpine dhe i vunë prangat,” tha ai.
Në video, një prej oficerëve dëgjohet duke e pyetur të riun: “Të kanë goditur me thikë? Ku saktësisht?”, përpara se të shtojë: “Nuk besoj se të kanë goditur me thikë, shok.”
Ndërkohë, Digwa pretendonte para policisë se kishte qenë viktimë e një sulmi racist dhe se Nowak i kishte hequr turbanin dhe e kishte kapur për flokësh. Kur u pyet nëse ishte lënduar, ai tha se kishte syrin e enjtur dhe një mavijosje të vogël.
Pamjet tregojnë se ndërsa Henry vazhdonte të përsëriste se nuk mund të merrte frymë, oficerët i vendosën prangat dhe më vonë e informuan se ishte nën arrest për agresion, shkruan BBC transmeton Klankosova.tv.
Familja e viktimës e ka cilësuar trajtimin e tij nga policia si “çnjerëzor dhe poshtërues”.
“Henry nuk duhej të kishte vdekur në rrugët e Southamptonit ndërsa ndodhej nën kujdesin dhe kontrollin e policisë,” deklaroi babai i tij, duke e quajtur “të padurueshëm” kontrastin mes mënyrës se si u trajtua djali i tij dhe mënyrës se si u trajtua autori i sulmit.
Digwa është dënuar me burgim të përjetshëm dhe duhet të vuajë të paktën 21 vjet burg përpara se të mund të kërkojë lirimin me kusht. Megjithatë, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm po shqyrton nëse dënimi duhet të rishikohet si tepër i butë, pas kërkesave të shumta të paraqitura nga publiku.
Rasti ka nxitur reagime edhe në nivelin më të lartë politik. Kryeministri britanik Keir Starmer e cilësoi ngjarjen si “një rast të tmerrshëm dhe tronditës”, duke bërë thirrje për më shumë përpjekje kundër krimit me thikë.
Nga ana tjetër, lideri i Reform UK, Nigel Farage, tha se trajtimi i Henry Nowakut duhet të ngjallë “zemërim të pastër dhe të ftohtë”, ndërsa liderja konservatore Kemi Badenoch argumentoi se policia duhet t’i trajtojë të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, pavarësisht racës së tyre.
Debat ka shkaktuar edhe arma e përdorur në krim. Digwa pretendoi se mbante një teh për arsye fetare si pjesë e besimit sikh, por organizatat sikh në Britani kanë theksuar se arma e përdorur në vrasje nuk ishte një kirpan tradicional fetar.
Komuniteti sikh dënoi ashpër vrasjen dhe bëri të ditur se shqetësimet për sjelljen e Digwas kishin bërë që atij t’i ndalohej hyrja në një prej vendeve të adhurimit në Southampton shumë kohë përpara krimit.
Ndërkohë, hetimi ndaj veprimeve të policisë vazhdon nga Independent Office for Police Conduct (IOPC). Drejtori i institucionit, Derrick Campbell, tha se hetuesit po shqyrtojnë një sasi të madhe materialesh filmike dhe provash të tjera për të përcaktuar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Policia e Hampshire-it ka kërkuar falje për faktin që Henry u prangos dhe u arrestua ndërsa po humbiste vetëdijen, por zyrtarët policorë kanë deklaruar se sipas dëshmisë së patologut në gjykatë, nuk kishte asgjë që oficerët mund të kishin bërë për ta shpëtuar atë.
Megjithatë, për familjen e Henry Nowakut, pyetjet mbi reagimin e policisë mbeten ende pa përgjigje.


