Pas gjashtë vitesh arsyetime e propagandë me Kurtin, qytetarët po kërkojnë rezultate konkrete me Bedri Hamzën
1
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe numri dy në listën e kësaj partie për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, Uran Ismaili, ka ndarë në rrjetet sociale një video nga biseda me një qytetar, i cili ankohet për mungesën e projekteve dhe, siç thotë ai, manipulimet e qeverisë se deritanishme.
“I kanë dalë rrenat në sipërfaqe. Qe gjashtë vjet nuk e di një projekt që e kanë bërë. Kanë bërë gabime të mëdha gjatë qeverisjes, po manipulojnë shumë, janë marrë veç me të kaluarën”, shprehet qytetari në video.
Ismaili tha se qeverisja e deritanishme nuk ka prodhuar asnjë rezultat për qytetarët, por ka prodhuar vetëm raporte dhe fjalime të gjata.
“Asnjë raport, as ato fjalimet e gjata që i ka Albin Kurti, nuk prodhojnë asgjë, sepse jeta e qytetarëve nuk po ndryshon. Nuk ka projekte, nuk ka ecë Kosova përpara dhe po shfrytëzohet propaganda”, tha Ismaili.
Ai shtoi se më 7 qershor vendit i duhet një qeverisje që sjell rezultate konkrete, duke e lidhur këtë me kandidatin e PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.
“Neve na duhet më 7 qershor një qeverisje siç është me Bedri Hamzën, që ta sjellë rezultatin konkret. Nuk ka nevojë për raporte, sepse rezultatin e sheh çdo ditë”, u shpreh ai.