Euro ka zbritur në nivelin më të ulët historik përballë lekut, ndërsa dollari amerikan ka shënuar një forcim të ndjeshëm brenda vetëm një dite, duke reflektuar luhatje të forta në tregun e këmbimit valutor.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, një dollar amerikan u këmbye mesatarisht me 82.89 lekë, nga 82.03 lekë që ishte një ditë më parë.
Brenda 24 orësh, monedha amerikane fitoi më shumë se 0.8 lekë, duke regjistruar një nga lëvizjet më të forta ditore të muajve të fundit.

Në të njëjtën kohë, euro vijon rënien dhe u këmbye mesatarisht me 96.19 lekë, nga 96.32 lekë një ditë më parë. Me këtë nivel, monedha europiane prek minimumin historik në raport me lekun, duke konfirmuar trendin e zgjatur rënës që ka nisur prej disa vitesh.

Forcimi i lekut ndaj euros dhe luhatjet e forta të dollarit tregojnë një treg valutor gjithnjë e më dinamik, ku faktorët ndërkombëtarë dhe flukset valutore në vend po ndikojnë drejtpërdrejt në kursin e këmbimit.
Zhvillimet e fundit pritet të kenë ndikim si në importet e paguara në dollarë, ashtu edhe në kursimet dhe kreditë e denominuara në euro, në një moment kur monedhat e huaja po përballen me presion të vazhdueshëm kundrejt lekut. /skyweb.al