Qëlloi 4 herë me thikë pas shpine bashkëmoshtarin e tij, përjashtohet nga shkolla gjimnazisti

March 9, 2026


Është përjashtuar nga shkolla nxënësi që më 4 mars plagosi me thikë bashkëmoshatarin e tij para ambienteve të gjimnazit “Sulejman Delvina”.

Lajmi për përjashtimin e nxënësit që për motive të dobëta plagosi rëndë një tjetër, është konfirmuar nga disa burime për mediat.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi më 4 mars jashtë procesit mësimor, ku dy nxënës u përfshinë në një konflikt me njëri-tjetrin. Për rrjedhojë mbeti i plagosur nxënësi me inicialet Dh.C, i cili thuhet se fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Në bashkëpunim me organet ligjzbatuese mësohet se rasti është analizuar dhe nga Komisioni i Disiplinës.

Pas analizimit të të gjitha rrethanave, komisioni caktoi përjashtimin nga shkolla të nxënësit me inicialet F.H, një vendim që është marrë në përputhje të plotë me ligjin.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë, më 6 mars nxënësit e gjimnazit “Sulejman Delvina” zhvilluan një protestë përpara ambienteve të Komisariatit të Policisë së qytetit, duke kërkuar drejtësi për shokun e tyre të plagosur.

Sipas informacioneve të bëra me dije për mediat, burime pranë ngjarjes pretendojnë se nxënësi është qëlluar katër herë me thikë në shpinë nga bashkëmoshatari i tij.



Source link