“Nëse s’të pëlqen, ik!” / Rizarta Hoxha përplas në fytyrë të vërtetën e rinisë, Bledi Mane dhe Albatros Rexhaj e ‘sulmojnë’ në emision
Guximi për të thënë të vërteta të hidhura në televizion shpesh përballet me sulme, ironi, ose në rastin më të keq, me devijime absurde të temës.
Kjo u vu re qartë së fundmi në emisionin “Rrethi Katror” në Top Channel, ku një diskutim thelbësor për boshatisjen e vendit degradoi në krahasime tualetesh dhe pjatash sushi.
Gjithçka nisi kur influencuesja 23-vjeçare, Rizarta Hoxha, e cila përfaqëson zërin e rinisë në panel, artikuloi troç atë që një brez i tërë po e vuan çdo ditë: largimin masiv të të rinjve jo thjesht për mungesë parash, por për mungesë meritokracie dhe vlerësimi.
Rizarta ngriti alarmin e “ikjes së trurit”, duke theksuar se Shqipëria është shumë herë më e varfër në mendje sesa në para.
“Nuk largohen vetëm nga mungesa e parave, largohen nga mungesa e meritokracisë dhe nga mungesa e karrierës. Nqs unë do kisha një arsye për t’u larguar nga vendi im, do largohesha sepse nuk vlerësohem… Albatrosi thotë që Shqipëria është zhvilluar, por ndërkohë ne kemi numrin më të vogël të mjekëve në Europë. Ata që nuk e dinë historinë, janë të destinuar ta përsërisin dhe ne po përsërisim një diktaturë të heshtur.” – u shpreh ajo.
Përballë shifrave (1.2 mjekë për 1000 banorë) dhe fakteve të pakundërshtueshme të boshatisjes së universiteteve, përgjigja nga paneli ishte sulmuese dhe tërësisht jashtë thelbit të problemit.
Albatros Rexhaj zgjodhi t’i përgjigjet shqetësimit për mungesën e profesionistëve me një krahasim të çuditshëm infrastrukturor me vendet fqinje:
“Nëse do me ik, ik. Llafe të kota. ‘Shqipëria’ është e keqe. Ki kujdes moj çfarë flet. Zhvillimi në Shqipëri është i matshëm, i prekshëm. Shko në Maqedoni, koha është ndal. Shko në Ohër, nuk gjen një restorant me një tualet të hajrit. Në anën shqiptare edhe tualeti është ndryshe.”
Nga ana tjetër, gazetari Bledi Mane kaloi në sulm personal, duke e etiketuar fjalimin e saj si politik dhe duke përdorur stilin e jetesës së të rinjve si argument kundër tyre:
“Ti po flet si Jorida Tabaku para komisionit parlamentar… Po ik mi goc, pse nuk ikën ti personalisht? Këtej nxirrni sushi, këtej shani Shqipërinë. Këtej në plazhet e Dhërmiut, këtej shani Shqipërinë.”
Ajo që theksoi edhe më shumë hendekun e madh mes gjeneratave në këtë përplasje, ishte qasja e panelistëve më të vjetër: asnjë fjalë për meritokracinë, asnjë përgjigje për largimin e mjekëve apo inxhinierëve. Alternativa e vetme që iu ofrua të resë ishte presioni tipik: “Nëse nuk të pëlqen, ik!”.
Dhe pikërisht kjo qasje verbuese, ku kritika përballet me ftesën për t’u larguar dhe ku realiteti zëvendësohet me propagandën e “sushit dhe tualeteve”, është ajo që po i detyron vërtet të rinjtë të mbushin valixhet çdo ditë. Sepse është gjithmonë më e lehtë t’i thuash tjetrit “ik”, sesa të pranosh dështimet që e detyrojnë të largohet.