Një ngjarje e rëndë ka tronditur rrjetet sociale dhe median britanike, pasi influencuesja Klaudia Zakrzewska ka ndërruar jetë si pasojë e përplasjes nga një makinë në qendër të Londrës.
32-vjeçarja u përfshi në këtë aksident tragjik jashtë klubit të natës “Inca” në Argyll Street (Soho), në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Ndonëse u dërgua menjëherë në spital për të marrë ndihmë mjekësore, ajo fatkeqësisht nuk mundi t’u mbijetonte plagëve. Klaudia, e cila njihej në rrjet me emrin Klaudiaglam, numëronte mbi 270,000 ndjekës në Instagram.

Në pranga për këtë ngjarje ka rënë 29-vjeçarja Gabrielle Carrington, një ish-konkurrente e talent-showt “The X Factor” në vitin 2013, e cila gjithashtu ka një audiencë prej mbi 360,000 ndjekësish nën llogarinë RielleUK.
Pas vdekjes së Zakrzewska-s, akuza fillestare për tentativë vrasjeje ndaj Carrington është rënduar zyrtarisht në vrasje.
Përveç kësaj, ajo përballet me akuza të tjera të rënda, përfshirë lëndim të rëndë trupor me dashje, drejtim i rrezikshëm i automjetit dhe drejtim mjeti nën efektin e alkoolit. Ajo është lënë në paraburgim dhe pritet të dalë sërish para gjykatës më 19 maj.