Pesë anëtarë të një grupi shqiptar janë dënuar me burg në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u shpallën fajtorë për shpërndarje të kokainës në sasi të mëdha në të gjithë Anglinë.
Lajmi bëhet i ditur nga autoritetet britanike dhe Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës (CPS).
Tre prej të dënuarve janë nga Bournemouth dhe dy nga Southampton. Ata pranuan fajësinë për komplot për furnizim me drogë të klasit A, pas një hetimi të gjatë dhe kompleks të zhvilluar nga Njësia Rajonale për Krimin e Organizuar në Jugperëndim të Anglisë (SËROCU).
Sipas CPS, aktiviteti i grupit përbënte një operacion të sofistikuar kriminal, me qëllim shpërndarjen masive të kokainës në tregun britanik.
Gjykata e Kurorës në Ëinchester dha dënime që variojnë nga tetë vjet e tetë muaj deri në 14 vjet burg.
Vladimir Rina, 11 vjet e tetë muaj burg
Korab Skepi, 11 vjet e tetë muaj burg
Dejvin Rina, tetë vjet e tetë muaj burg
Sipas hetuesve, Gjoci (31 vjeç) dhe Titini (32 vjeç) drejtonin grupin kriminal dhe organizonin marrëveshjet me blerës në Londër, jug të Anglisë dhe deri në Cumbria. Roli i tyre ishte koordinues dhe përfshinte menaxhimin e rrjetit të shpërndarjes.
Korab Skepi (24 vjeç) ishte përgjegjës për përgatitjen e kokainës së importuar për shpërndarje të mëtejshme. Ai mbante shënime të detajuara në një regjistër të shkruar me dorë, ku dokumentonte lëvizjet e parave dhe sasinë e drogës.
Hetuesit theksojnë se pikërisht këto evidenca, përfshirë fotografitë e shumave të mëdha të parave të ruajtura në telefonin e tij, u bënë vendimtare për ndërtimin e çështjes penale në kuadër të operacionit të koduar “Dare”.
Pas arrestimit të Skepit në janar 2025 në Southampton, anëtarët e tjerë të grupit tentuan të zhduknin provat. Ata u drejtuan drejt një dyqani materialesh ndërtimi në Bournemouth, morën pajisje për zhvendosje dhe pastruan një banesë në St James Road, e cila përdorej si laborator për përpunimin e drogës.
Më pas, aktiviteti u zhvendos në një shtëpi me qira në Pauntley Road, Bournemouth. Policia ndërhyri në mars 2025, ku arrestoi Gjocin dhe Dejvin Rinën. Në vendngjarje u gjetën mbi 16 kilogramë kokainë, substanca për përzierje dhe një presë hidraulike për paketimin e drogës.
Kontrolle të mëtejshme në katër adresa të tjera në Bournemouth çuan në sekuestrimin e sasive shtesë të kokainës, parave të gatshme, telefonave dhe materialeve të tjera të lidhura me aktivitetin kriminal. Në total, autoritetet sekuestruan mbi 27 kilogramë kokainë me një vlerë të vlerësuar rreth 500 mijë paund në tregun me shumicë, si dhe afro 170 mijë paund në para të gatshme.
Hetimet zbuluan gjithashtu përdorimin e metodave të avancuara për fshehjen e drogës. Një automjet i markës Citroen kishte një ndarje të fshehtë nën sediljet e pasme, e cila përdorej për transportimin e substancave narkotike.
Detektivja Danielle Hill nga SWROCU deklaroi se grupi operonte me volume të konsiderueshme droge dhe parash, duke furnizuar një rrjet të gjerë blerësish. Ajo theksoi se autoritetet mbeten të angazhuara për të goditur krimin e organizuar.
Nga ana e tij, prokurori i CPS, James Foster, u shpreh se provat e forta për një operacion në shkallë të gjerë çuan në pranimin e fajësisë nga të gjithë të pandehurit. Ai shtoi se dënimet e dhëna pasqyrojnë seriozitetin e veprës penale dhe përmasat e aktivitetit kriminal.
Operacioni u mbështet nga disa struktura policore, përfshirë policinë e Hampshire dhe Isle of Ëight, Policinë Metropolitane të Londrës, Policinë e Cumbria-s dhe Policinë e Dorset-it. Drejtuesja e inteligjencës në Policinë e Dorset-it, Emma Sweetzer, falënderoi të gjithë të përfshirët për kontributin në largimin e substancave të rrezikshme nga rrugët dhe mbrojtjen e komunitetit.