“Këta burra kanë kryer vrasje për Kryeministrin me urdhër të tij dhe gjithashtu të Ministrit të Brendshëm. Kam prova.”
Kjo deklaratë e dhënë nga 36 vjeçari Irfan Azizi në sallën e gjyqit në Londër dhe pasqyrimi i saj nga një prej mediave më të mëdha britanike, “Daily Mail”, ka tronditur ishullin dhe vetë Shqipërinë. Lajmi është raportuar gjerësisht në Tiranë dhe platformat në internet.
Dje, Gjykata e Magjistraturës në Westminster dëgjoi se Irfan Azizi kërkohet në Shqipëri për të vuajtur një dënim me një vit burg, pasi u dënua në mungesë për posedim të një telefoni celular në paraburgim për vepra të tjera penale.
I njohur edhe si “Fania i Beratit”, 36 vjeçari nga fshati Poshnje po përpiqet të bindë autoritetet në Britaninë e Madhe që të mos lejojnë ekstradimin e tij në Shqipëri, nën pretendimet se grupi i Talo Çelës kërkon ta eleminojë.
Ai jeton prej 6 vitesh në Angli me bashkëshorten dhe katër fëmijët, ndërsa në 2025 është dënuar me gjashtë muaj burg bashkë me një person tjetër, për posedim të patentave të falsifikuara gjermane.
E shkuara kriminale në Shqipëri
Irfan Azizi është skeduar nga Policia shqiptare dhe autoritetet e zbatimit të ligjit si një person i përfshirë në veprimtari të paligjshme në fushën e vjedhjeve, kryesisht të automjeteve. Në vitin 2018, Ermir Azizi dhe vëllai i tij Fania, janë ndaluar nga Policia e Fierit për vjedhjen e një Mercedesi.
Nga kontrolli ushtruar në pikën e varrezave të automjeteve të quajtur “Azizi” në fshatin Poshnje, Berat, në pronësi të shtetasve Irfan dhe Ermir Azizi, është gjetur dhe sekuestruar Mercedesi i vjedhur nga dy vëllezërit në Lushnje, të cilin e kishin çmontuar me qëllim shitjen e tij për pjesë këmbimi.
Atëkohë, Irfan i ishte 28 vjeç dhe ishte dënuar më parë për vjedhje, si dhe i proceduar për lojëra fati, kurse i vëllai Ermiri ishte 26 vjeç dhe ishte dënuar për mbajtje pa leje të armëve.
Gjykata e Magjistraturës në Westminster dëgjoi sesi Fania ia kishte hedhur drejtësisë, duke deklaruar se kishte paguar para te një gjyqtar. Shqiptari që rrezikon të dëbohet nga Anglia ka pretenduar se para se të binte në atentat dhe të largohej drejt ishullit, ka qenë një “biznesmen i pasur” në Shqipëri, me tre pika karburanti, si dhe lavazhe makinash dhe një bar-kafe.
Atentati ndaj tij ndodhi më 29 nëntor 2020, kur nga një automjet që ndaloi jashtë një karburanti doli një person i armatosur me kallashnikov dhe filloi të qëllonte me breshëri. Irfan Azizi u plagos në dorë dhe pesë javë më pas, u largua nga Shqipëria.
Organizatori i atentatit është raportuar gjerësisht në mediat shqiptare si Talo Çela, një ish-mik i ngushtë i Azizit, i cili aktualisht është një nga kriminelët më të kërkuar në Shqipëri.