Afrimiteti me Vanesën, familja e Indrit me deklaratë publike: “Duam të shprehim…”
Mbrëmja e djeshme në “Ferma VIP” u përfshi nga një diskutim i gjatë dhe i tensionuar rreth raportit të shumëpërfolur mes Indrit dhe Vanesës.
Pasi kjo e fundit vendosi të sakrifikonte lidhjen e saj jashtë për t’iu përkushtuar ndjenjave brenda shtëpisë, Indri zgjodhi të bëjë hapa pas.
Duke përmendur si arsye djalin e tij 4-vjeçar dhe traumat nga një divorc i kaluar, ai deklaroi se mund t’i ofrojë Vanesës vetëm miqësi—një situatë që e la këtë të fundit të përlotur për ditë me radhë.
Kjo tërheqje e vuri Indrin përballë një presioni të madh gjatë Prime-it.
Ndërkohë që Arbana u përpoq t’i tregonte se po humbet një vajzë të mirë me ndjenja të sinqerta, opinionistet Einxhel dhe Armina ishin shumë më të drejtpërdrejta dhe të ashpra.
Ato e etiketuan atë si një mashkull me pasiguri të mëdha në vetvete dhe e kritikuan rëndë që i kishte dhënë shpresa Vanesës që në fillim, duke e lejuar situatën të shkonte deri në këtë pikë.
Por, ky trajtim nuk është pritur aspak mirë jashtë shtëpisë! Përmes një “Qëndrimi Publik” të shpërndarë në llogarinë e Indrit në Instagram, familjarët e tij kanë reaguar, duke i dalë në mbrojtje vendimit të tij dhe duke goditur hapur gjuhën e përdorur nga opinionistet në studio.
“Të pranosh publikisht një ngërç emocional dhe nevojën për të shëruar veten nuk është dobësi, është ndërgjegjësim dhe përgjegjësi… Etiketimi si ‘i traumatizuar’ përdoret si armë, ndërkohë që trauma nuk është turp, por një përvojë që kërkon kujdes,” – shkruhet në reagim.
Më tej, familja thekson se Indri thjesht po vendos kufij të shëndetshëm dhe godet ata që ndikojnë opinionin publik (opinionistet):
“Shpesh kërkojmë më shumë sinqeritet, por kur dikush e shfaq, reagimet mund të jenë të ashpra. Aq më tepër kur këto reagime vijnë nga ata që kanë rolin të ndikojnë opinionin publik, përgjegjësia për maturi bëhet edhe më e madhe. Na vjen keq për gjuhën e përdorur ndaj tij…”
Përtej mbrojtjes për Indrin, familja ka treguar maturi duke rezervuar fjalë vlerësuese për Vanesën:
“Njëkohësisht, duam të shprehim respekt për Vanesën, një vajzë e fortë dhe e shkëlqyer, që meriton po aq ndjeshmëri dhe dinjitet në mënyrën si trajtohet kjo situatë.”
Deklarata mbyllet me krenarinë e familjes dhe njerëzve të afërt për faktin që Indri, në një kohë kur shumë zgjedhin të shtiren para kamerave, vendosi të jetë i vërtetë dhe i ftohtë për të mos lënduar më tej tjetrin.
