“Situatë alarmante te Trauma” – Xhixho: 10 salla operatore jashtë funksionit si pasojë e rikonstruksionit

April 20, 2026


Deputetja dhe njëherësh Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, përmes rrjeteve sociale denoncoi një situatë, sipas saj, alarmante në Spitalin Kombëtar të Traumës.

DENONCIMI I XHIXHOS

Sot dua të denoncoj një situatë alarmante në Spitalin Kombëtar të Traumës.

Siç e shihni, spitali është në rikonstruksion të plotë, një proces që pritet të zgjasë deri në 2 vite.Kjo situatë ka bërë që blloku operator qendror të mbyllet dhe 10 salla operatore të dalin jashtë funksionit, duke sjellë një kolaps të shërbimit. Zgjidhja e dhënë deri më tani nuk po garanton vazhdimësinë e shërbimit shëndetësor.

Mijëra pacientë janë lënë në lista pritjeje, me ankthin e sëmundjes që nuk arrijnë ta trajtojnë në kohë. Operacionet shtyhen me muaj e vite dhe shumë qytetarë detyrohen të paguajnë në privat ose të largohen jashtë vendit.

Nuk kryhen më ndërhyrjet ortopedike dhe mungojnë shërbime si okulistika, urologjia apo trajtimi i këmbës diabetike. Ndërkohë, infeksionet spitalore dhe bakteret e rrezikshme janë evidentuar edhe në sallat operatore.

Edi Rama flet për “shëndetësi falas”, ndërkohë që 60% e shpenzimeve paguhen nga xhepi i qytetarëve. Realiteti është mungesa e ilaçeve dhe një sistem në kolaps.

Ndaj kam kërkuar me urgjencë interpelancë me Ministren e Shëndetësisë për të sqaruar këtë situatë dhe për të marrë masat urgjente për përballimin e saj.Kjo situatë po cenon sigurinë kombëtare, pasi në një emergjencë që mund të ndodhë në çdo moment, vendi është praktikisht pa një spital traume funksional që mund t’u shërbejë pacientëve në kohë.

Koha për llogaridhënie dhe jo me propagandë!



Source link