Vdekja e nxënësit në Ferizaj, reagon Agim Aliu
1
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot, ku një nxënës 15-vjeçar në Ferizaj ka vdekur pasi është rrëzuar pa ndjenja në sallën e edukatës fizike.
Kryetari i Komunës, Agim Aliu, ka shprehur ngushëllimet e tij për rastin.
“Tronditës lajmi për ndarjen nga jeta të nxënësit të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj. Një jetë krejt në fillet e saj që u shua në lulëzimin e saj. Sa e rëndë pesha e dhembjes, fjalë që janë të vogla për të shprehur pikëllimin e dhembjen e madhe. Zoti e mëshiroftë shpirtin e tij! Zoti i dhëntë forcë familjes së tij! Ngushëllime familjes, mësimdhënësve, nxënësve e bashkëmoshatarëve të tij!”, tha ai.
Lajmin për vdekjen e 15 vjeçarit e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajit, Kanun Veseli.
“Me datë 17.04.2026, rreth orës 15:15, është pranuar një informatë se në shkollën e mesme “Kuvendi i Arbërit”, në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj, një nxënës mashkull (15 vjeç), në rrethana ende të panjohura, është rrëzuar pa ndjenja në sallën e edukatës fizike.” tha ai.
I njëjti është dërguar me urgjencë në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku, sipas mjekut kujdestar, pavarësisht trajtimit mjekësor, ka ndërruar jetë.
Lidhur me rastin janë njoftuar Njësia e Hetimeve e stacionit, hetuesit rajonalë dhe krimteknikët, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.