PD protestë sot para kryeministrisë, bllokohen akset kryesore në Tiranë

April 17, 2026


Partia Demokratike e Shqipërisë ka thirrur qytetarët në një protestë që do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë.

Tubimi pritet të nisë në orën 19:00 dhe të zgjasë deri në orën 22:00. Sipas njoftimit, protesta nuk parashikon risi në format, por do të rikthehen fjalimet politike, një vendim që duket se është marrë nga kryetari i PD, Sali Berisha.Ky i fundit fillimisht do të shkojë në selinë e partisë dhe më pas do t’u bashkohet mbështetësve në shesh, ku pritet të mbajë edhe fjalimin kryesor.

Ndërkohë, Policia e Tiranës ka bërë të ditur se ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të tubimit, në përputhje me ligjin “Për tubimet”.

Për shkak të protestës, do të ketë kufizime të konsiderueshme në qarkullimin rrugor. Konkretisht:Nga ora 23:45 e datës 16 prill deri në përfundim të tubimit, është bllokuar lëvizja dhe ndalohet parkimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e njohur si “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.
Nga ora 15:00 e ditës së sotme deri në përfundim të protestës, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në segmentin nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia u bën thirrje organizatorëve të respektojnë afatet dhe vendin e përcaktuar për zhvillimin e tubimit, ndërsa qytetarëve u kërkon mirëkuptim për kufizimet e përkohshme në lëvizje.

Gjithashtu, autoritetet apelojnë që qytetarët të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike gjatë protestës.



Source link