Shtrenjtohen vezët dhe perimet, qytetarët ankohen, tregtarët: S’ka konsumatorë
1
Rritja e çmimeve ka përfshirë edhe tregun e Prishtinës, duke rënduar buxhetin e qytetarëve dhe duke ulur ndjeshëm fuqinë blerëse. Ndërkohë që konsumatorët ankohen për pamundësi për të përballuar kostot, tregtarët thonë se kanë humbur klientelën.
Tregtari i pemëve dhe perimeve, Patriot Maqestena, shprehet se çmimet këtë vit janë ndër më të lartat që ka parë ndonjëherë. Ai tregon se një paketë me 30 vezë fshati shitet për 6 euro, ndërsa edhe produktet e tjera kanë pësuar rritje.
Patriot Maqestena, tregtar:
“Domatet janë 3 euro, specat djegës janë 3 euro. Trangulli është më i lirë sepse vjen nga Shqipëria. Është e dukshme që është zbehur interesimi i qytetarëve për shkak të çmimeve të larta. Ndërsa te pemët, çmimet kanë mbetur pothuajse të njëjta.”
Sipas tregtarëve, rritja e çmimeve nuk ka kursyer as produktet e akcizës. Hasan Matoshi thekson se çmimi i cigareve është rritur ndjeshëm, duke ia faturuar këtë politikave fiskale.
Hasan Matoshi, tregtar:
“Nëse shtrenjtohet pak rryma apo nafta, menjëherë rriten çmimet. Ka rreth 50 euro akcizë për një pako cigareje, kjo nuk është në rregull.”
Efektet e krizës së çmimeve ndihen edhe në sektorin e veshjeve. Rrahim Govori thotë se mungesa e konsumatorëve po e vështirëson punën e përditshme.
Rrahim Govori, tregtar:
“Aktualisht çmimet janë në rritje, por konsumatorë nuk ka. Puna është shumë dobët, megjithatë po përpiqemi ta mbajmë aktivitetin.”
Nga ana tjetër, qytetarët fajësojnë institucionet për situatën ekonomike. Muharrem Metolli shprehet kritik ndaj qeverisë, duke thënë se mungon kujdesi për qytetarët.
Muharrem Metolli, qytetar:
“Qeveritarët nuk mendojnë për askënd, vetëm për veten e tyre. Në vend që të ndihmojnë, secili mendon për interesin personal.”
Edhe qytetari Veton Kika e cilëson situatën si të papërballueshme, duke theksuar se një pagë mujore nuk mjafton për të përballuar jetesën.
Veton Kika, qytetar:
“Çmimet janë shumë të larta dhe kanë ndryshuar shumë. Mundohemi t’i përballojmë, por me një rrogë është e pamundur.”
Ndërsa Zeqir Govori shprehet pesimist për të ardhmen, duke theksuar vështirësitë që sjellin pagat dhe pensionet e ulëta.
Zeqir Govori, qytetar:
“Është shumë vështirë. Pagat dhe pensionet janë të ulëta. Nuk e di si do t’ia dalim kështu.”
Gjatë muajve të fundit, pothuajse të gjitha produktet kanë pësuar rritje çmimesh, duke shtuar presionin mbi qytetarët, të cilët e kanë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë koston e jetesës.