Luizi anulon emisionin, vendin e tij e zë Grida Duma – Ora Info

October 16, 2026 •


Vetëm dy javë pas nisjes së spektaklit të tij të ri televiziv, Luiz Ejlli do të mungojë mbrëmjen e sotme në ekranin e Top Channel.

Zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe protestat që kanë përfshirë vendin kanë sjellë ndryshime në programacionin e televizionit, duke bërë që emisioni “Live me Luizin” të mos transmetohet këtë të premte.

Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi zyrtar, ku sqarohet se vendimi është marrë për shkak të rëndësisë së zhvillimeve të fundit për interesin publik.

Në vend të spektaklit argëtues, Top Channel do të transmetojë një edicion special të “Top Story” me Grida Dumën, kushtuar ngjarjeve aktuale dhe analizës së situatës në Shqipëri.

Kujtojmë se “Live me Luizin” nisi transmetimin më 2 tetor, duke shënuar një kapitull të ri në karrierën e fituesit të “Big Brother VIP Albania 2”, këtë herë në rolin e moderatorit.

Në premierën e tij, Luizi mirëpriti emra të njohur si Alketa Vejsiu, Eli Fara, Manjola Nallbani, Sinan Vllasaliu dhe Gjergj Leka, ndërsa formati ndërthur intervistat, muzikën dhe humorin.

Edicioni i dytë, i transmetuar më 9 tetor, solli të tjera momente të komentuara, mes tyre rrëfimin e Albërie Hadërgjonajt dhe ribashkimin e aktorëve të komedisë së njohur shqiptare “Pallati 176”.

Megjithatë, ndërprerja e kësaj jave është e përkohshme.

Sipas njoftimit zyrtar, “Live me Luizin” do t’i rikthehet transmetimit javën e ardhshme, në Top Channel.





Source link