Kjo flakë nuk është studentore – Lajme Big Brother Vip – Lajmi i Fundit, Lajmet e Fundit

October 16, 2026 •


Kryeministri Edi Rama ka dalë sërish në terren mëngjesin e sotëm për të parë nga afër dëmet e shkaktuara në kryeqytet pas protestës studentore, ku disa ambiente janë shkatërruar dhe djegur.

Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Rama ka shprehur solidaritet me familjet e prekura nga dëmet, duke theksuar se institucionet do të jenë pranë tyre për t’i ndihmuar që të rimëkëmben.

Po ashtu Rama shprehet se dhuna dhe shkatërrimet nuk përfaqësojnë studentët dhe shqetësimet e tyre. Ai ka akuzuar opozitën se po nxit përçarje dhe dhunë, duke u shprehur se pas këtyre veprimeve qëndrojnë interesat politike që synojnë të mos përparimit të vendit.

Kryeministri e cilësoi këtë protestë si një sprovë të vendit dhe bëri thirrje për durim se qeveria nuk duhet të tërhiqet përballë dhunës. Po ashtu ai u shpreh se studentët dhe sipërmarrësit kanë të drejtë të kërkojnë më shumë, ndërsa problemet duhet të adresohen përmes punës dhe zgjidhjeve konkrete.

“E gjithë kjo që po ndodh është sprovë, test i karakterit tonë dhe një tjetër hap që ne do ta hedhim së bashku përballë një pengese që na është vënë përpara. Studentët, sipërmarrësit, kanë të drejtë të kërkojnë më shumë ndërkohë që problemet janë aty, duhen adresuar ndërkohë që përpiqemi të bëjmë më të mirën, të mësojmë më shumë dhe të bëjmë më mirë,” thekson ai.

Fjala e Ramës:

Kjo është gremadha e jetës, e punës, e ëndrrave e një familjeje të zakonshme, prindërit e zakonshëm që hapin derën çdo mëngjes për të shtruar tryezën me ndershmëri. Dua t’u them të gjithëve atyre që sot janë me lot në sy përballë gremadhave të ngjashme se, sapo kjo flamë të kalojë, ne do të jemi aty bashkë. Dhe dua t’ju them se përballuam një tërmet të llahtarshëm me pasoja dhe ia dolëm së bashku. Ata që humbën shtëpinë për 30 sekonda janë në shtëpi më të forta.

Si mund të jenë studentët, si mund të jetë investimi i prindërve te fëmijët e tyre kjo gremadhë? Kjo s’ka lidhje me studentët, flama nuk është studentore. Kjo s’ka të bëjë fare me hallet dhe me problemet apo me aspiratën për një vend më të mirë. Është po ajo dorë, ajo dorë që ka kapur për fyti opozitën shqiptare, që ka djegur njëherë Shqipërinë dhe është gati ta djegë e ta shkatërrojë përsëri, për të mos e lënë të përparojë, në një luftë të verbër. Flakët e ndasisë janë e vetmja dritë arsyeje.

Këta nuk janë studentët. As ata që në mbrëmje predikojnë lëvizjen studentore nuk kanë të bëjnë me ju dhe zgjidhjet që ju keni nevojë. Si mund të nxiten të miturit në rrugë dhe të shkulin trotuaredhe qëllojnë policinë? Si mund të rrezikohet jeta e të miturve si një lukuni e verbër për axhendë të tjetërkujt? Sot mbështetet nga duar të tjera, të huaja që s’e duan Shqipërinë të qetë, të shohë drejt dhe të ecë përpara, që nuk e duan pjesë të familjes së bashkuar europiane, aty ku do të shpëtojë njëherë e përgjithmonë nga këto duar dhe zgjedha e zgjedhës së detyruar. Nuk e duan Shqipërinë të lirë. Ju duket rastësi që sapo Shqipëria çel një tjetër dritë jeshile, afrohet më shumë drejt objektivit historik, këtu plas flaka? Nuk është aspak rastësi.

E gjithë kjo që po ndodh është sprovë, test i karakterit tonë dhe një tjetër hap që ne do ta hedhim së bashku përballë një pengese që na është vënë përpara. Studentët, sipërmarrësit, kanë të drejtë të kërkojnë më shumë ndërkohë që problemet janë aty, duhen adresuar ndërkohë që përpiqemi të bëjmë më të mirën, të mësojmë më shumë dhe të bëjmë më mirë. E kemi sjellë Shqipërinë e Tiranën deri këtu, këtë e ka sjellë një punë këmbëngulëse. Kush thotë le të përkulemi përballë dhunës për pakëz qetësi, gabon. Kjo do të thotë ta humbësh rrugën për një kohë të gjatë. Ka qenë Shqipëria e përkulur përballë dhunës dhe s’ka arritur asgjëkund. Motra e vëllezër, durim se kjo do të kalojë dhe do të dalim më të fortë dhe të vetëdijshëm.

Burimi: Newsbomb.al



Source link