Pas Hatit, gazetari zbulon një tjetër vajzë të showbizit — pjesë e videove të Gys Agasit
Pas emrit të Hatixhe Brikës, e njohur si Hati, një tjetër personazh i njohur i showbizit shqiptar është përmendur në lidhje me materialet e Ergys Agasit.
Gazetari Elton Tozaj, gjatë emisionit “Radar”, deklaroi se Rezarta Shkurta është një prej personazheve që, sipas informacioneve të tij, figuron në komunikimet e Agasit.
“Rezarta Shkurta është një nga personazhet që konfiguron në komunikimet e Gys Agasit”, deklaroi Tozaj.
Por gazetari la të kuptohet se lista e personazheve të njohur nuk përfundon me kaq. Sipas tij, në materialet për të cilat po flitet rezultojnë edhe persona të tjerë të medias.
“Janë edhe dy moderatorë dhe një gazetare”, shtoi ai, pa bërë publikë emrat e tyre.
Deklarata vjen pasi ditët e fundit emri i Hatit u përfshi në raportimet për materiale audio dhe video që pretendohet se lidhen me zyrën e Ergys Agasit. Vetë influencerja reagoi menjëherë, duke kundërshtuar raportimet dhe duke kërkuar publikimin e provave: “Ku i keni provat? Nxirrni provat”.
Në rastin e Rezarta Shkurtës, Tozaj foli konkretisht për komunikime, pa dhënë detaje mbi përmbajtjen apo natyrën e tyre. Deri tani nuk është bërë publik ndonjë material që të tregojë se për çfarë kanë qenë këto komunikime.
Gjithashtu, përmendja e një personi në komunikime apo materiale të Agasit, në vetvete, nuk tregon përfshirje në ndonjë veprimtari të paligjshme. Deklaratat e Tozajt mbeten pretendime të bëra publikisht në “Radar”, ndërsa Rezarta Shkurta nuk ka reaguar deri tani lidhur me to.