“Marre ju qoftë”, motra e Gjestit revoltohet ndaj publikimeve për vëllain
Sot bëhet një vit nga aksidenti tragjik me motor ku humbi jetën Eldion Kelmendi, vëllai i Gjestit.
Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, në rrjetet sociale janë publikuar fotografi dhe mesazhe të shumta në kujtim të tij. Por disa prej këtyre postimeve kanë sjellë reagimin e fortë të motrës së Gjestit, Blerinës.
Përmes Instagramit, ajo ka kritikuar personat që, sipas saj, po publikojnë fotografi pranë varrit dhe shkrime të gjata për ngjarjen, duke kërkuar më shumë respekt për dhimbjen e familjes.
“Unë nuk mund ta kuptoj se si mund të jenë njerëzit pa ndërgjegje e pa pikën e respektit. Çfarë doni të tregoni me foto te varri e me ato referate që i shkruani në rrjetet sociale? Unë veç di t’ju them: Marre ju qoftë! ‘Kishe po bëjmë diçka’, duke bërë filma – kjo vlen për të gjithë ju që sot po e bëni këtë gjë”, ka shkruar ajo.
Blerina ka vijuar reagimin edhe me një tjetër postim, ku ka kundërshtuar mënyrën se si po ekspozohet publikisht humbja e vëllait të saj.
“Dhimbja nuk tregohet në rrjetet sociale me foto, me video e me shkrime. Kjo është krejt vëmendje që doni të keni, por jo me këto lloj gjërash, jo”, është shprehur ajo.

Reagimi i saj vjen pikërisht në ditën kur familja përkujton një vit nga humbja e Eldionit, ndërsa mesazhi i Blerinës ishte i qartë: ajo kërkon që kjo ditë dhe dhimbja e familjes të trajtohen me respekt, larg publikimeve që, sipas saj, bëhen për vëmendje.