Del edhe një problem i ri për këngën “Mora Fjalë”, tani ëshë bërë tamam krejt “llugë” – s’po dihet çka po ndodhë – Ora Info
Këngëtari Qazim Beka ka rikthyer në vëmendje historinë e këngës “Mora fjalë”, një prej këngëve më të njohura shqiptare, duke pretenduar se ideja për krijimin e saj ka ardhur nga ai dhe se pa kërkesën e tij, kënga nuk do të ekzistonte në formën që njihet sot.
Beka, i cili ka qenë edhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka rrëfyer se në vitin 2001 kishte kërkuar nga kompozitori Naim Gjoshi që të krijonte një këngë kushtuar komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.
Sipas rrëfimit të tij, kënga ishte porositur me rastin e trevjetorit të rënies së Jasharit dhe ishte paguar nga vetë Beka.
“Andaj e telefonova kompozitorin edhe e porosita këngën, i dhashë si ide me bë një këngë për 3-vjetorin e rënies së komandantit Adem Jashari.
Mandej ai e ka bë tekstin, e ka bë komponimin, ka ardhur në Prishtinë këtu, jemi takuar, e kam marrë këngën, e kam paguar sipas marrëveshjes”, ka deklaruar Beka.
Ai ka treguar se këngën e kishte interpretuar për herë të parë publikisht në vitin 2001, në kuadër të aktiviteteve për përvjetorin e rënies së Adem Jasharit.
Sipas tij, versioni i parë i këngës ishte interpretuar me titullin “Çohu Adem”.
Megjithatë, Beka pretendon se me kalimin e viteve ka pasur mospajtime me Naim Gjoshin lidhur me mënyrën se si është njohur roli i tij në krijimin dhe porositjen e këngës.
Ai thotë se ka kërkuar nga kompozitori një dokument me shkrim që do të konfirmonte se kënga ishte krijuar me porosinë e tij, por pretendon se Gjoshi nuk ka pranuar ta bëjë një gjë të tillë.
“Unë me thënë të drejtën që dy vite e më tepër nuk kam kontakt me Naim Gjoshin, se kur kam kërkuar unë prej Naim Gjoshit me më dhanë me shkrim që këngën e ka bërë me porosinë time edhe e ka bërë për mua, kam kërkuar me më dhanë me shkrim, po s’ka pranuar me më dhanë me shkrim”, ka thënë Beka.
Në anën tjetër, zyra ligjore “NeëËay Consulting”, e cila është deklaruar në emër të kompozitorit Naim Gjoshi, ka kundërshtuar pretendimin se Beka mund të konsiderohet autor i këngës vetëm për shkak se e ka porositur atë.
Sipas qëndrimit të zyrës ligjore, autorësia mbi tekstin dhe kompozimin i takon Gjoshit.
“Kjo s’të bën autor. Ky tekst dhe kompozim është i Naim Gjoshit. Dhe çdo person tjetër që e ka performuar nuk është pronar i tekstit dhe i muzikës sepse s’ka asnjë kontratë”, është deklaruar nga zyra ligjore në emër të Gjoshit.
Përveç historisë së krijimit të këngës, Beka ka folur edhe për një tjetër zhvillim të fundit që lidhet me “Mora fjalë”. Kënga është larguar sërish nga YouTube, pas një kontesti lidhur me të drejtat e autorit mes Naim Gjoshit dhe këngëtares Shkurte Fejza, e cila ndër vite e ka bërë këngën jashtëzakonisht të njohur për publikun shqiptar.
Beka thotë se nuk e di me saktësi arsyen e largimit të këngës nga YouTube, por ka hedhur dyshime se çështja mund të jetë e lidhur edhe me aspektin financiar dhe të ardhurat që mund të gjenerohen nga shikimet e shumta të këngës.
“Arsyeja tani pse ka ardhur deri te ajo që i ka hequr prej YouTube-s, po më merr mendja veç është arsyeja te çështja e financave, se sigurisht kjo s’i ka përgjigjur Shkurta me ato klikimet, çfarë po di unë, një përqindje e saj i takon t’ij, kompozitorit. Po besoj, po besoj që aty është problemi”, ka deklaruar ai.
Këngëtari ka rrëfyer gjithashtu se Shkurte Fejza e kishte marrë lejen për ta përfshirë këngën në albumin e saj.
Sipas tij, pas interpretimit të parë nga Beka në mars të vitit 2001, Shkurta dhe producenti i saj kishin kërkuar që kënga të bëhej pjesë e albumit të këngëtares.
Beka ka treguar se fillimisht kishte hezituar ta jepte këngën, pasi mendonte se një artiste me emër si Shkurte Fejza do ta përhapte dhe afirmonte shumë më tepër.
“Po unë, mbasi e kam kënduar më 5 mars në stadium, tani e kam kënduar edhe më 7 mars në mbrëmje, në Natën e Zjarreve në Prekaz.
E tani Shkurta edhe producenti i Shkurtës që e ka pasë albumin në atë kohë të Shkurtës, ata nëpërmes atij producentit… kanë kërkuar me ia dhanë këngën për albumin e Shkurtës”, ka rrëfyer ai.
“Mora fjalë” më pas do të shndërrohej në një prej këngëve më të njohura të repertorit të Shkurte Fejzës dhe një këngë që është interpretuar gjerësisht në aktivitete e ngjarje të ndryshme patriotike e kulturore.
Versioni i publikuar në kanalin zyrtar të Shkurte Fejzës në vitin 2015, sipas të dhënave që ishin të qasshme para largimit të videos, kishte kaluar shifrën prej 32 milionë shikimesh në YouTube.
Ndërkohë, një version tjetër i publikuar në vitin 2020 kishte grumbulluar mbi 14 milionë shikime.
Këto shifra tregojnë për përmasat e popullaritetit që kënga ka fituar ndër vite, ndërsa debati rreth autorësisë, të drejtave dhe historisë së krijimit të saj ka rikthyer në vëmendje edhe rolin e personave që kanë qenë të përfshirë në fazat e para të këngës.
Për çështjen është kërkuar edhe qëndrimi i Shkurte Fejzës, por deri në momentin e publikimit të raportimit nuk është marrë përgjigje prej saj.
Për këtë arsye, pretendimet e palëve mbeten të paraqitura sipas deklaratave të tyre, ndërsa një qëndrim i drejtpërdrejtë nga këngëtarja do të mund të sillte më shumë qartësi rreth versionit të saj për historinë e këngës dhe çështjen e të drejtave.
Ndërkohë, historia e “Mora fjalë” vazhdon të ngjallë interes të madh, jo vetëm për shkak të popullaritetit të jashtëzakonshëm të këngës, por edhe për shkak të pretendimeve të ndryshme që lidhen me krijimin, interpretimin e parë dhe të drejtat mbi veprën./ORAinfo/
