Ndahet nga jeta aktorja turke e ‘Dashuri e Ndaluar’ – Lajme Big Brother Vip

September 18, 2026


Është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare aktorja e njohur turke Gülsen Tuncer, e cila ishte gjithashtu artiste e dublimit, tekstshkruese, kompozitore, drejtuese artistike dhe akademike.

Tuncer, e cila po trajtohej për kancer, kishte marrë pak ditë më parë diagnozën për kancer në tru në stadin e katërt. Lajmin për vdekjen e saj e bëri të ditur Shoqata e Grave të Republikës së Turqisë (CKD).

Në njoftimin e saj, shoqata shkruan: “Po përjetojmë një dhimbje të madhe pas humbjes së Gülsen Tuncer, një intelektuale e vërtetë e Republikës, artiste e çmuar e teatrit dhe kinemasë. Ajo la gjurmë në zemrat tona me artin, elegancën, dashurinë për atdheun dhe humanizmin e saj. I shprehim ngushëllimet tona familjes, të afërmve dhe të gjithë njerëzve që e deshën.”

Gülsen Tuncer lindi në vitin 1945 në Adana. Ajo u diplomua në Degën e Teatrit të Konservatorit të Bashkisë së Stambollit, ku gjatë studimeve mori mësime nga emra të njohur të skenës turke, mes tyre Yıldız Kenter dhe Ayla Algan. Karrierën profesionale në teatër e nisi në vitin 1968, me shfaqjen “Zilli Zarife” në teatrin e Gülriz Sururi dhe Engin Cezzar.

Përveç teatrit, Tuncer u aktivizua edhe në kinematografi dhe televizion. Gjatë karrierës së saj ajo punoi si asistente dhe ndihmëse regjie në rreth 40 filma. Publiku i gjerë turk e njohu veçanërisht për rolin e Arsen Hanım në serialin e njohur “Aşk-ı Memnu”.

Ajo u vlerësua edhe për interpretimet e saj në filma të ndryshëm. Për rolet në “Soğuktu ve Yağmur Çiseliyordu” (1991) dhe “Bir Tren Yolculuğu” (1988), Tuncer fitoi çmime si “Aktorja më e mirë në rol dytësor” në festivale të ndryshme të filmit. Me një karrierë të gjatë në teatër, film dhe televizion, Gülsen Tuncer mbetet një nga figurat e njohura të artit turk.

/tvklan.al



Source link