Përgatitjet për edicionin e pestë të “Big Brother VIP Kosova” duket se kanë hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa detaje të reja po qarkullojnë për datën e nisjes dhe drejtimin e spektaklit.
Sipas burimeve të “Indeksonline”, BBVK 5 pritet të nisë më herët nga sa është mësuar publiku në edicionet e kaluara. Reality show raportohet se do të hapë dyert gjatë javës së parë të tetorit.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur se procesi i përzgjedhjes së personazheve që do të bëhen pjesë e shtëpisë është përfunduar. Megjithatë, emrat e banorëve nuk janë bërë ende publikë zyrtarisht.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm pritet të jetë në moderim. Sipas raportimit, Alaudin Hamiti do ta drejtojë i vetëm edicionin e pestë, pas largimit të Jonida Vokshit.
Për Alaudinin ky do të jetë viti i pestë radhazi në krye të “Big Brother VIP Kosova”. Jonida, e cila e ka drejtuar spektaklin përkrah tij në katër edicionet e para, ka konfirmuar tashmë se nuk do të rikthehet këtë sezon, duke zgjedhur të marrë një pauzë nga televizioni dhe t’i kushtohet filmit dhe teatrit.