Emri i DJ Iljanos është përmendur së fundmi mes personazheve që mund të bëhen pjesë e edicionit të gjashtë të “Big Brother VIP Albania”. Tashmë, vetë ai ka folur për mundësinë e një eksperience brenda shtëpisë.
I ftuar në emisionin “Lancio”, DJ Iljano u pyet drejtpërdrejt për zërat që e lidhin me BBVA 6. Ai nuk konfirmoi se ka marrë një ftesë nga produksioni, por tregoi se do ta konsideronte seriozisht nëse një propozim i tillë do t’i bëhej.
“Nuk ka ‘Big Brother’ që nuk ka personazhe nga Vlora. Domethënë, vlonjatët janë si ajo kripa për ‘Big Brother’. Kështu që, nëse do më bëhej ftesa, patjetër, pse jo”, u shpreh DJ Iljano.
Biseda vijoi edhe me një tjetër ngacmim nga moderatori, i cili i kujtoi se dy vlonjatë të njohur të edicioneve të mëparshme, Donald dhe Romeo Veshaj, arritën deri në finale, por nuk e fituan çmimin e madh.
“Donaldi nuk e fitoi, Romeo nuk e fitoi, DJ Iljano do ta fitojë apo jo?”, e pyeti David Prifti. I pyetur se sa i bindur ishte për fitoren nëse do të hynte në shtëpi, DJ Iljano u përgjigj shkurt: “10/10”.