Statusi “i/e divorcuar” mund të zhduket nga dokumentet zyrtare
10
Qeveria zvicerane kërkon të heqë nga dokumentet zyrtare statusin civil “i/e divorcuar”, duke mbështetur një nismë të deputetes liberale Nadine Gobet.
Gobet, deputete e Partisë Liberale Radikale (FDP) ka kundërshtuar faktin që personat e divorcuar, duhet të deklarojnë në formularët zyrtarë se janë “të divorcuar”, edhe shumë vite pas përfundimit të martesës.
Tashmë, Parlamenti zviceran duhet të vendosë për këtë çështje. Nëse propozimi miratohet, do të nisë procesi për ndryshimin e ligjeve dhe rregullave përkatëse.
Gobet argumentoi se përcaktimi “i/e divorcuar” është i panevojshëm, pasi divorci është një çështje ligjore, që tashmë është përfunduar dhe zgjidhur.
Sipas saj, detyrimi për ta përshkruar veten si “i/e divorcuar” përgjithmonë, bën që një ngjarje private e jetës, të vazhdojë të regjistrohet administrativisht edhe pasi ajo ka përfunduar.
Për këtë arsye, Gobet ka propozuar që personat që janë divorcuar, të rikthehen në kategorinë “beqar/e” në formularët zyrtarë.